Befasi në Premier League/ Manchester United fiton ndaj Liverpoolit në ‘Anfield’

Manchester United ka arritur një fitore të madhe në transfertë me Liverpoolin, në kuadër të xhiros së tetë në Premier League.

“Djajtë e Kuq” i arkëtuan pikët e plota ndaj rivalit të përbetuar me rezultat të ngushtë 1-2.

Pas vetëm 63 sekondave lojë, Unitedi kaloi në epërsi përmes Bryan Mbeumo që shënoi pas asistimit të Diallos (2’).

Mbeumo do të mbahet mend në histori meqenëse ishte goli më i shpejtë që është shënuar në këtë përballje mes rivalësh të urryer.

Liverpooli tentoi të kthehet në lojë përmes Cody Gakpos, megjithatë ky i fundit goditi shtyllën.

Ndërkohë, Unitedi gjithashtu rrezikoi me anë të Bruno Fernandesit, por kapiteni dështoi nga afërsia.

Kësisoj, epilogu i kësaj pjese mbeti të jetë 0-1.

Në 45 minutat e dytë, vendasit e nisën më mirë me Gakpon që kishte mundësi shënimi, por nuk e konkretizoi aksionin.

Një rast të shkëlqyer e humbi edhe Mohamed Salah, që goditi shtyllën e djathtë.

Me hyrjen në lojë të Federico Chiesas, situata ndryshoi për mirë për vendasit.

Italiani dhuroi një asistim fantastik te Gakpo, i cili e futi topin brenda rrjetës (78’).

Mirëpo, vetëm gjashtë minuta më vonë Harry Maguire shënoi me kokë pas asistimit të Bruno Fernandes për ta kthyer epërsinë dhe njëkohësisht vulosur fitoren e “Djajve të Kuq” (84’).

Gakpo kishte edhe një tjetër rast shënimi nga afërsia, por prapë dështoi ta konkretizonte.

Me këtë fitore, Unitedi ngjitët në vendin e nëntë me 13 pikë, ndërsa Liverpooli qëndron në të tretin me 15.