Vendimi i GJykatës Kushtetuese për dekretin e presidentit, Berisha: U mbrojt Kushtetuta, Begaj është kukull
Sali Berisha përshëndeti këtë të enjte, 9 tetor, vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të pezulluar dekretin e presidentit për mbajtjen e zgjedhjeve në Tiranë.
“Sot Gjykata Kushtetuese mori një vendim të cilin unë e përshëndes, si një akt të një rëndësie të madhe në mbrojtje të kushtetutës së vendit, në mbrojtje të kushtutetueshmërisë së rendit. Përshëndes vendimin unanim të gjykatësve, të cilët mbrojtën Kushtetutën dhe kushtetueshmërinë nga armiqtë e tyre, për të mos thënë një fjalë tjetër, që edhe mund të mos e them nga horrat e shtetit.
Pse e them këtë? Unë jam para jush sot, dhe jam personi që 3 ditë para se Edi Rama të shpaloste skenarin e tij, ju paralajmërova se do të veprojnë në këtë mënyrë dhe se do të anashkalojnë Gjykatën Kushtetuese me pretendimin e turpshëm, banal, vulgar se këshilli i ministrave qenka noteri i këshillit bashkiak. Që të paraqesësh para kombit qeverinë, ekzekutivin e vendit si noter këtë mund ta bësh vetëm atëherë kur nuk ke ligj, as moral, as respektin më minimal për shtetin, por vërsulesh i papërmbajtur ndaj Kushtetutës, Gjykatës Kushtetuese."
Për Berishën, me këtë vendim, gjyqtarët e Kushtetueses “i bënë një shërbim vendit, rendit kushtetues, dhe u dhanë vulën e turpit, por nuk kanë turp se po të kishin turp nuk mund të vepronin kurrë, atyre që shkelmuan kushtetutën, Edi Ramës, presidentit të tij kukull dhe të gjithë atyre që u implikuan në këtë akt madhor antikushtetues”.
Më herët gjatë kësaj të enjteje, Gjykata Kushtetuese vendosi njëzëri të kalojë çështjen me kërkues Erion Veliaj në seancë plenare publike në datë 31 tetor 2025 dhe të pezullojë dekretin e Presidentit për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve në bashkinë Tiranë.
Ndërkohë mbetet në fuqi data 9 nëntor, për zgjedhjet në pesë bashkitë e tjera, për të cilat nuk ka ndonjë ngërç juridik. Partia Socialiste ka zyrtarizuar kandidatët, ndërsa Partia Demokratike deri më tani ka vetëm një emër publik, atë për bashkinë Mat dhe që ka theksuar mbështetjen për kandidatin e pavarur, Florjan Binaj.
E teksa u ndal tek ky i fundit Berisha tha se Binaj ka mbështetjen e plotë të Partisë Demokratike.
“Jam para jush për të shprehur mbështetjen e plotë të PD-së, për kandidatin e pavarur për Tiranën. Besoj dhe shpresoj se të gjitha partitë opozitare edhe pas këtij vendimi do të rikonfirmojë Florian Binajt i cili siç jeni në dijeni u prit me shumë pëlqim dhe kënaqësi nga qytetarët e Tiranës, të të gjithë spektrit, në të gjitha shtresat, grupet e me radhë”.
Kryedemokrati tha po ashtu opozita është e gatshme të vazhdojë garën në 5 bashkitë e tjera.
“Ne nuk kërkuam asnjë ditë, asnjë orë kohë edhe për bashkinë e Tiranës. Ishim të përgatitur, motorët po ndizeshin, kandidati po bënte përgatitje të ethshme, por natyrisht vendimi i Kushtetueses mirëpritet nga çdo qytetar i vendit, sepse pa Kushtetutë, pa kushtetueshmëri vendi nuk ka të ardhme. Kështu që me të gjitha bashkitë e tjera ne jemi të gatshëm. Kandidatët janë shpallur, janë edhe ata kandidatura intelektualësh, biznesmenësh, mjekë, të pavarura, por që do të kenë mbështetjen e plotë të PD dhe koalicionit tonë”.
