Heshtje e zhurmë për gjyqtarin/ PD: Koçiu e Lamallari të dorëhiqen! PS: Jo politikë me krimin

Një minutë heshtje për gjyqtarin Astrit Kalaja, të vrarë në krye të detyrës, bashkoi deputetët e mazhorancës e opozitës në sallën e Kuvendit

Por paqja politike zgjati pak. Vetëm nderimi për Kalanë solli heshtje dhe reflektim, sepse më pas, salla u përfshi nga akuza, tone të ashpra dhe përplasje për atë se çfarë çoi në tragjedinë e Gjykatës se Apelit.

Partia Demokratike kërkoi përgjegjësi politike, duke drejtuar gishtin nga Ministrja e Brendshme Albana Koçiu dhe Ministri i Drejtësisë Besfor Lamallari.

Në fjalën e tij të parë në parlament, Ministri i drejtësisë akuzoi opozitën se po e përdor vrasjen e gjyqtarit për përfitime politike.

Ndërhyrjet dhe tensionet sollën ndërprerjen e seancën për herë të parë. As rikthimi në sallë nuk solli qetësi.

Ministrja e Brendshme Albana Koçiu u përball me të njëjtat akuza dhe reagoi, duke hedhur përgjegjësinë te opozita për gjuhën e dhunshme që, sipas saj, opozita përdor për drejtësinë!

Por opozita nuk u tërhoq përplasjet verbale vijuan derisa seanca parlamentare u ndërpre për herë të dytë, për t’u mbyllur më shpejt se kurrë, në një ditë që nisi me heshtje dhe përfundoi me zhurmë.