Samiti Global për Qeverisjen e Hapur, Pirdeni: Avancojmë parimet e qeverisjes së hapur
Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni mori pjesë në Samitin Global për Qeverisje të Hapur që po mbahet në Vitoria-Gasteiz të Spanjës.
Ministrja Pirdeni vuri theksin gjatë fjalës sot në panelin ministror “Integriteti Publik, Transparenca dhe Etika”, mbi punën intensive me reformën në administratën publike, hapjen e institucioneve përmes të dhënave të hapura, si dhe përdorimin etik e të përgjegjshëm të Inteligjencës Artificiale në sektorin publik.
Sipas njoftimit për mediet, Pirdeni u fokusua gjatë diskutimeve “në ndarjen e përvojave dhe reformave konkrete mbi forcimin e integritetit publik, transparencës dhe etikës duke trajtuar çështje kyçe si lufta kundër korrupsionit, rregullimi i financimit politik, mbrojtja e sinjalizuesve dhe fuqizimi i institucioneve publike, me synimin për të forcuar besimin e qytetarëve dhe për të avancuar parimet e qeverisjes së hapur”.
Samiti mbledh së bashku udhëheqës qeveritarë, përfaqësues të organizatave qytetare, ekspertë ndërkombëtarë dhe partnerë të ndryshëm, duke krijuar mundësinë e një platforme për të shkëmbyer përvojat më të mira, për të identifikuar praktikat inovative dhe për të diskutuar sfidat dhe mundësitë në drejtimin e administratës publike moderne.
Programi është i ndërtuar mbi tre shtylla thelbësore, përkatësisht: njerëzit, institucionet dhe teknologjia dhe synon të krijojë një qeverisje të hapur, inovative dhe tejet efikase.
