Manastirliu me banorët e Kombinatit: Përmirësojmë shërbimet publike, më shumë hapësira për fëmijët dhe të moshuarit
Kandidatja e Partisë Socialiste për Bashkinë e Tiranës, Ogerta Manastirliu, bashkë me deputetin e zonës Blendi Gonxhe, u takuan sot me banorët e njësisë nr. 6 në Kombinat, për të dëgjuar shqetësimet e tyre dhe për të ndarë projektet për zhvillimin e qytetit.
Në qendër të bisedës ishin nevojat e komunitetit, si dhe planet konkrete të kandidates së Partisë Socialiste për Bashkinë e Tiranës, Ogerta Manastirliu, për zhvillimin e zonës.
“Do të punojmë për më shumë hapësira publike të lira, parqe dhe kënde lojërash për fëmijë, dhe hapësira të gjelbra brenda zonave të lagjes që të rrisin cilësinë e jetesës. Po ashtu do të përmirësojmë pastrimin, menaxhimin e mbetjeve, ndriçimin e rrugëve dhe transportin publik, edhe më cilësor me investime të reja që po projektojmë për Tiranën”, tha Manastirliu.
Manastirliu tha se dëgjimi dhe bashkëbisedimi me qytetarët është një proces shumë i rëndësishëm për të çuar përpara punët e nisura dhe planin e saj për Tiranën.
“Do jem pranë jush, do të shkoj në çdo lagje e çdo rrugë, për të dëgjuar çdo zë dhe për të çuar përpara punët e nisura dhe planet e reja për Tiranën e 2030-ës”, tha Manastirliu.
Me planin e saj për më shumë hapësira të gjelbra, shërbime dhe kujdes për të moshuarit dhe përmirësim të infrastrukturës, Ogerta Manastirliu shprehu angazhimin për ta bërë Kombinatin dhe gjithë Tiranën një qytet në shërbim të njerëzve.
