Konferenca e NATO-s në Tiranë, Tafa: Siguria kibernetike, gur themeli i sovranitetit kombëtar

Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, Igli Tafa u shpreh sot se siguria kibernetike mbetet një nga sfidat e epokës ku jetojmë.

Në konferencën e 3-të të Mbrojtjes Kibernetike të NATO-s, ku i pranishëm ishte edhe Kryeministri Edi Rama, dhe përfaqësues të 32 vendeve anëtare të Aleancës së NATO-s, drejtuesi i AKSK-së e cilësoi këtë aktivitet si një takim që mishëron këmbënguljen e përbashkët për të forcuar mbrojtjen e përgjithshme kibernetike në epokën digjitale me anë të optimizimit të aleancës.

“Kjo ndodh kur kufijtë mes paqes dhe konflikteve janë gjithnjë duke u formësuar ndryshe, por brenda lëmit digjital. Siguria kibernetike është një nga sfidat më të rëndësishme të epokës sonë. Nuk është një çështje teknike, por gur themeli i sovranitetit kombëtar dhe një përgjegjësi që e ndajmë të gjithë”, tha Tafa.

“Gjatë viteve të fundit është bërë më e dukshme që mbrojtja kibernetike nuk është thjesht një gjë e ndarë nga mbrojtja e një vendi, jo një shtesë, por pjesë përbërëse. Struktura shqiptare në sektorin publik dhe privat nuk ka qenë imune ndaj sulmeve kibernetike të sponsorizuara nga shtete të ndryshme. Këto sfida kanë testuar rezistencën tonë, por kanë fuqizuar edhe vendosmërinë për të vepruar dhe për ta bërë sa më funksional lëmin digjital dhe kibernetik”, pohoi ai.

Tafa u shpreh se në këtë përballje me kërcënimet digjitale, vendi ynë nuk ka qenë vetëm.

“Solidariteti i aleatëve të NATO-s me anë të mbështetjes teknike ka qenë instrumentale për të forcuar mbrojtjen tonë. Nën udhëheqjen e Kryeministrit Edi Rama ne kemi ecur përpara në teknologjinë e fundit sa i përket arritjeve të avancuara dhe shndërrimi ynë është përqendruar në modernizimin e infrastrukturës digjitale shtetërore”, cilësoi Tafa.

“Ky transformim është përqendruar në modernizimin e infrastrukturës qeveritare për të siguruar shërbime publike më të sigurta, efikase dhe të qëndrueshme; përafrimin e kuadrit strategjik dhe ligjor me standardet e NATO-s, BE-së dhe të institucioneve ndërkombëtare; zgjerimin e Qendrave Kombëtare të Operacioneve të Sigurisë (SOC), duke mundësuar zbulim proaktiv dhe reagim të koordinuar ndaj incidenteve kibernetike; ndërtimin e besimit me partnerë vendas dhe ndërkombëtarë, duke forcuar rolin e Shqipërisë si një aleat i besueshëm dhe me vizion të qartë; nxitjen e inovacionit dhe kapaciteteve përmes investimeve të vazhdueshme në edukim, trajnim dhe kapital njerëzor dhe forcimin e qëndrueshmërisë digjitale kombëtare për të siguruar zhvillim të qëndrueshëm dhe të bashkërenduar në të gjitha fushat e hapësirës kibernetike”, theksoi Tafa.

Por, sipas tij, për t’u bërë ballë sulmeve në të ardhmen, duhen përforcuar strukturat e ndryshme shtetërore, duke forcuar besimin mes partnerëve të brendshëm dhe të huaj.

“Duke çuar para novacionin, por duke ngushtuar hendekun që ekziston kemi promovuar nisma kolektive që kërkojnë përforcimin e rezistencës tonë. Në veçanti jemi përqendruar te fuqizimi për kërcënime të ndryshme, kemi realizuar ushtrime për mbrojtjen kibernetike. Kjo punë me aleatët vazhdon të përforcojë jo vetëm mbrojtjen tonë të përbashkët, por edhe ekosistemit tonë digjital”, përfundoi Tafa.