Krimi në gjyq debate në Kuvend/ Lamallari i kthehet ashpër Opozitës: Mos linçoni gjyqtarët, urrejtja prodhon dhunë

Kuvendi nisi punimet me 1 minutë heshtje për vrasjen e gjyqtarit të Apelit Astrit Kalaja. Por, pas kësaj debate të ashpra shpërthyen në sallë, me opozitën në bllok që po kërkon përgjegjës për ngjarjen e rëndë dhe për dështimin e sigurisë në gjykata.

Kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi kërkoi dorëheqjen e ministres së Brendshme, Albana Koçiu.

Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa i është kthyer ashpër ministrit të Drejtësisë, Besfor Lamallari. Ajo ka kërkuar dorëheqjen e tij dhe të ministres së Brendshme duke i akuzuar për mosgarantimin e jetës së qytetarëve shqiptarë si dhe të aktorëve të drejtësisë.

“Turp të vijë ty që sot këtu po bën avokatin e një vrasësi. Turp që si zv ministër i brendshëm nuk i je pagjetur thirrjes për ndihmë që të ka bërë KLGJ. Që sot nuk mban përgjegjësi bashkë me kolegen për vrasjen e gjyqtarit që jepte vendim në emër të Republikës të Shqipërisë.

Kur policia e shtetit thotë nuk kam kapacitet për të mbrojtur një gjyqtar, çfarë kapaciteti keni ju për të siguruar jetën e qytetarëve shqiptarë. Sot i promovuar pikërisht për këto dështime për papërgjegjshmëri për qytetarët shqiptarë. Këto janë rezultatet e reformës në drejtësi që thua ti? Këto janë rezultatet e keqqeverisjes tuaj që nuk çon policët që të mbrojnë gjyqtarët e shtetit.

Ne 1 minutë heshtje e mbajmë por nuk do të thotë që Kuvendi duhet të heshti.  Ju keni tejkaluar çdo skenar, dhe ato që bëheshin filma sepse Shqipëria sot nuk ofron siguri. të dy jeni skandalozë me qëndrimet që mbani. Të dy duhet të jepni dorëheqjen”, tha Zhupa.

Ndërsa, përgjigjen e morën nga ministri i ri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, i cili iu kujtoi gjuhën linçuese që kryetari i tyre, Sali Berisha përdor ndaj gjyqtarëve e prokurorëve.

Ai tha në Kuvend se në këto vite kanë mbjellë vetëm gjuhë urrejtjeje dhe se shqiptarët i njohin shumë mirë prandaj kanë mbetur në opozitë.

“Nuk keni turp! Shqiptarët e dinë prandaj iu kanë lënë aty ku iu kanë lënë. Mos linçoni prokurorë e gjyqtarë, mos ngjallioni gjuhën e urrejtjes. Urrejtja prodhon vetëm urrejtje dhe dhunë dhe këtë keni bërë këto vite. Kini kujdes kur bëni kapital politik me gjyqtarë e prokurorë. Lërini të bëjnë punën e tyre derisa të vijnë te ju”, tha ministri i Drejtësisë.

“Të bësh politikë me vrasjen dhe me një rast tragjik dhe të bësh retorikë, politikisht mbi një vrasje është e rëndë, akoma nuk janë bërë të 7. Keni përgjegjësi për gjithë gjuhën denigruese që keni përdorur nga daljet në ballkon, që keni sharë e telendisur SPAK e SKRAP, çdo të hënë, nga altin dumani, Altin Troplini, këto janë akuzat dhe gjuhet e urrejtjes që keni ngjallur ndaj gjyqësorit.

Keni ndërsyer militantët, mos bëj zhurmë, unë flas këtu si përfaqësues i institucioneve të drejtësisë. Nuk e keni lënë prokuror, keni anatemuar parterët startegjikë, ambasadorin e SHBA, Unionit, vetëm se mbështetën reformën në drejtësi dhe keni gojë të flisni. Ca është kjo, s’keni turp, prandaj u kanë lënë shqiptarët aty ku ui kanë lënë”, tha Lamallari.