Pse Portugalia dhe Spanja janë vendet evropiane më të ndjeshme ndaj ndërprerjeve të energjisë elektrike
Ndërprerja e përgjithshme e energjisë elektrike më 28 prill, që la rreth 60 milionë njerëz në Portugali dhe Spanjë pa drita për disa orë, mund të përsëritet për shkak të lidhjeve të kufizuara të Gadishullit Iberik me rrjetin kontinental të energjisë.
Paralajmërimi vjen nga një studim i ri i organizatës britanike Ember, e cila thekson se Iberia është rajoni më i ndjeshëm në Evropë ndaj rreziqeve të tilla.
Sipas raportit, Spanja arriti të rikuperohej pas 16 orësh me ndihmën e Francës dhe Marokut, ndërsa Portugalia, pa mbështetje të menjëhershme të jashtme, arriti rivendosjen e plotë të rrjetit pas 10 orësh duke u mbështetur fillimisht në hidrocentralet e saj.
Autoritetet iberike e cilësojnë këtë incident si një “skenar të tmerrshëm” që mund të përsëritet nëse nuk forcohen ndërlidhjet energjetike me pjesën tjetër të BE-së. Spanja, Irlanda dhe Finlanda përmenden si vendet më të ekspozuara në kontinent për shkak të opsioneve të kufizuara të importit emergjent.
Në një letër të përbashkët drejtuar Komisionit Evropian, qeveritë e Portugalisë dhe Spanjës kërkuan angazhim politik dhe financiar për të përshpejtuar projektet e ndërlidhjes, duke paralajmëruar se integrimi i plotë i Gadishullit Iberik në sistemin energjetik të BE-së është jetik për sigurinë energjetike të Evropës.
Raporti përfundimtar i operatorëve evropianë të rrjetit (ENTSO-E), që do të detajojë shkaqet e incidentit dhe hapat për të shmangur përsëritjen, pritet të publikohet në tetor.
