Kufizimi i gazetarëve në Kuvend, Zhupa: E papranueshme, minon të drejtën e qytetarëve për t’u informuar

Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka reaguar ndaj planit të bërë publik për kufizimin e gazetarëve dhe kamerave në seancat plenare dhe në ambientet e oborrit të Kuvendit.

Zhupa e cilëson këtë nismë si një “monopolizim me regji” të informacionit nën kontrollin e mazhorancës, duke theksuar se një vendim i tillë cenon rëndë lirinë e medias dhe të drejtën e qytetarëve për të qenë të informuar mbi aktivitetin e deputetëve të zgjedhur.

Reagimi i plotë i Ina Zhupës:

Pas porosisë së Ramës “kujdes nga gazetarët” vjen plani për mos lejuar gazetarët në sallën dhe në oborrin ku zhvillohen seancat plenare.

Një kufizim i lirisë së medias, një monopolizim me rregji i ngjarjeve brenda kuvendit nën kontrollin e mazhorancës është i dëmshëm për demokracinë.

Ky plan që po gatuhet në zyrat e kuvendit minon edhe të drejtën e qytetarëve për t’u informuar mbi aktivitetin e deputetëve që ata kanë votuar.

Gazetarët kanë gjithë të drejtën të pyesin deputetët dhe të rregjistrojnë në mënyrë të pavarur aktivitetin e seancës publike parlamentare. Në republikën e censurës të Ramës, çdo hapësirë lirie për gazetarët dhe për deputetët duhet shuar!

Cdo mase e tillë këtyre të drejtave është represive dhe e prapanueshme. Dhe ne do bëjmë gjithcka për mos e lejuar, kur liria e medias është në prioritetet e Bashkimit Europian dhe pjesë e clusterit të parë.