Kryeministri Rama vijon vizitën në Bruksel, takohet sot me shefin e NATO-s Mark Rutte
Kryeministri Edi Rama do të takohet këtë të mërkurë në Bruksel me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte. Takimi do të mbahet në mëgjes, dhe sipas axhendës të botuar në faqe zyrtare të NATO-s, në orën 09:00 do të mbahet fjala e Rutte dhe Ramës. Takimi Rama-Rutte do të mbahet në selinë e NATO.
Kryeministri udhëtoi të hënën për në Bruksel në kuadër të Koferencës së 6 Ndërqeveritare që u mbajt një ditë më parë, ku u hapën edhe 4 kapituj të tjerë në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë.
Rutte ishte në Tiranë më 16 maj, ku mori pjesë në Samitin e Komunitetit Politik Evropian, ku mblodhi liderët e Evropës.
Ndërkaq, vetë Kryeministri Rama e ka nisur ditën e sotme në rrjetet sociale me një video me pamjet e djeshme teksa u hapën dhe 4 grup-kapitujt e radhës të përfshira në procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.
"MIRËMËNGJES dhe me kënaqësinë e një tjetër dite të shënuar në rrugëtimin drejt BE-së, si edhe me krenarinë për skuadrën tonë kombëtare të negociatave, ju uroj një ditë të mbarë", shprehet kryeministri Rama në komentin bashkëngjitur videos së mëposhtme.

