Teliti: PS vonon qëllimisht shkarkimin e Veliajt... Çfarë po ndodh brenda grupit të këshilltarëve socialistë?

Nënkryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Dorian Teliti, i ftuar në emisionin e mëngjesit ‘Kafe Shqeto’ në Syri TV, është shprehur mbi vonesat për shkarkimin zyrtar të Erion Veliajt nga posti i kryebashkiakut.

Teliti theksoi se opozita ka kërkuar këtë proces prej muajsh, por mazhoranca e ka bllokuar, deri kur Rama urdhëroi zhvillimin e seancës.

Sipas tij, grupi i këshilltarëve të PS po përballet me përçarje të brendshme dhe hatërmbetje nga grupi i Veliajt, ndërsa përgatiten për të nxjerrë kandidatin e ri në zgjedhje pa shkarkuar ende zyrtarisht kryetarin aktual të arrestuar.

DORIAN TELITI: Është ditë e vonuar. Ditë e vonuar sepse ne kemi kërkuar për shkarkimin e Veliajt...dhe s’duhet ta merrte Erion Veliaj mandatin, sepse e dimë shumë mirë si e mori në 2023-in. Por e mori si e mori me ‘5D’, do e ‘vishte’ me shokët e vet me para, me të fortë, e kështu me radhë. Juridikisht ishte kryetar i Bashkisë.

Momentin që ai u arrestua në shkurt të këtij viti, në një vend demokratik që aspiron për t’u integruar në vendet e Bashkimit Evropian, një kryetar bashkie jep dorëheqjen.

Por megjithatë pritëm 3 muaj, aq sa thotë ligji, që mund ta zëvendësojë njëri prej zëvendësve të vetë. Dhe në Maj, grupi i PD, këshilltarët e PD, dorëzuam kërkesën tonë që të mblidhej urgjent Këshilli Bashkiak, për të trajtuar situatën juridike të kryetarit të bashkisë, dhe automatikisht kalon edhe në shkarkimin e tij.

Kërkesë që nuk u trajtua kurrë nga Këshilli Bashkiak, mohohej madje. Asnjëherë nuk u fut në rend dite, deri javën e kaluar që ‘i madhi’ i dha urdhër këshilltarëve të vetë të PS, që të mblidheshin urgjent e për të bërë pikërisht atë që ka kërkuar opozita që 4 muaj më parë.

Gjithsesi, po kalojnë ditët dhe ne nuk po mblidhemi. Edhe urdhri i të madhit nuk po shkon deri diku. Çfarë po ndodh brenda grupit të këshilltarëve të Partisë Socialiste?

Tashmë kanë edhe kandidatin. Ata kanë filluar fushatën nga njëra anë, ndërsa nuk po shkarkojnë të vjetrin. Kështu që, mesa duket dhe në bazë të informacioneve që kemi, ai grupi i Veliajt ka atë hatërmbetjen e vet.

Dhe normalisht, kryeministri dëshiron që vendimmarrja të jetë me të gjitha votat e Partisë Socialiste, ndonëse harron që do të ketë edhe të gjitha votat e Partisë Demokratike. Do të jetë një nga vendimet që do të miratohet me 61 kartonat e Këshillit Bashkiak, por do që brenda partisë së vetë, të jetë një vendimmarrje unanime.

Gjë që mesa duket nuk e ka arrit dhe i mbledhin sot, do ti bëj atë rezymenë e radhës, trajnimin e radhës, për ti thënë sesa e rëndësishme është të mblidhemi dhe të votohet.