RRËFEHET XHERDAN SHAQIRI! Kritika Interit të Mançinit, vlerësime për Chivu: Gati për titull

Xherdan Shaqiri në rrëfimin për dy periudhat kur ka luajtur për Interin shprehet me kritika për Manchinin. Megjithatë sot shton se zikaltrit janë gati edhe për të fituar titullin

Xherdan Shaqiri kujton periudhën e tij te Interi 10 vite më parë, një eksperiencë e shkurtër dhe jo shumë e suksesshme. Në gjashtë muaj ai regjistroi 20 paraqitje, tre gola dhe dy asist, shifra larg pritshmërive kur mbërriti nga Bayern Munich në janar të vitit 2015 me kërkesën e Roberto Mancinit.

Në një intervistë për ‘Gazzetta dello Sport’, rrëfen se në atë kohë u bind nga trajneri Mancini në vetëm pesë minuta bisedë. Por në fushë gjërat shkuan ndryshe, pak hapësira, problemet e shpeshta fizike dhe një ekip që sipas tij ishte një nga Interët më të dobët të 15 viteve të fundit,pa ekuilibër dhe pa kampionë të mëdhenj.

Megjithatë, mesfushori zviceran tregon se atmosfera në skuadër ishte pozitive, duke përmendur miqësinë me Kuzmanovic dhe marrëdhëniet e mira me Nagatomo, Juan Jesus e Dodo.

Një episod kurioz lidhet me trajtimin e tij mjekësor. Shaqiri thotë se u dërgua lloj magjistari të cilin ia kishin sugjeruar edhe për Ronaldon Fenomenin, por që rezultoi një përvojë e dështuar pas një udhëtimi një orë e gjysmë me makinë.

Sot, Shaqiri beson se Interi i Chivu është më i fortë se kurrë duke shtuar se ka mbajtur kampionët, është përforcuar dhe sipas tij mund të fitojë të gjitha garat, përfshirë titullin. Ai e përshkruan San Siron si një stadium fantastik, një vlerë e shtuar.

Përpara derbit të Italisë të 13 shtatorit, Shaqiri zbuloi edhe një prapaskenë: disa vite më parë ishte pranë transferimit te Juventusi për të zëvendësuar Diegon, por marrëveshja nuk u finalizua. ‘Do të më kishte pëlqyer atëherë, por sot në Itali jam me ngjyrat zikaltër’, përfundon zvicerani.