Asllani: Ishte një finale për ne, jam i lumtur për skuadrën dhe 3 pikët

Kristjan Asllani, autori i golit të fitores së Shqipërisë ndaj Letonisë, foli me emocione pas ndeshjes. Mesfushori kuqezi theksoi rëndësinë e tri pikëve, foli për gjendjen e tij fizike pas një goditjeje dhe vlerësoi shokët e skuadrës.

“Ishte një emocion i madh sepse kjo ndeshje ishte një finale për ne dhe duheshin patjetër 3 pikët. Jam i lumtur për skuadrën, sepse vrapuam gjithë ndeshjen dhe e merituam fitoren.

Mora një goditje me taka në gju dhe mendova se ishte e rëndë, por falë stafit mjekësor u qetësova. Bëra edhe ekografinë dhe nuk ka asgjë, kështu që jam shumë i lumtur.

Fola edhe më herët për Shehun, është lojtar fantastik, si unë ka qejf të mbajë topin dhe luan mirë me të dyja këmbët. Kemi shumë futbollistë të fortë në mesfushë. Penalltitë? Mua më pëlqen t’i gjuaj, por këto gjëra i zgjedh trajneri. Sot morëm tri pikë shumë të rëndësishme dhe kjo është gjëja kryesore.”