"Magjistari cinik i penës dhe analisti brilant”/ Njuma për Artur Zhejin: Do të të kujtoj për gjithçka, nga ‘360 gradë’ në "Ora News" e deri te shëtitjet në liqen


Gazetarja Beti Njuma i ka kushtuar një homazh prekës Artur Zhejit, ku e përshkruan si një mendje brilante, udhëtar të pandreqshëm në labirintet e fjalës dhe mikun që çdo bisedë e kthente në leksion jete.

Postimi:

“… Dhe udhëtojnë trishtueshëm tufat e përhimta të shtegtarëve fluturues… klithës dhe krahëpërplasës të pandreqshëm ….”

Lamtumirë Zheji, udhëtar i pandreqshëm në labirintet e fjalës dhe mendimit. Ikja jote e beftë më ngjan si zgjatim i dramës tënde “Ishulli i shtegtarëve të humbur”.

Një dhimbje që rëndon dhe konsumohet në heshtje, si çdo vdekje e miqve të dashur.

Ti ishe një mendje e bukur, megjithëse ajo që bëje viteve të fundit të rrinte ngushtë, shumë ngushtë. Po fundja, ti i kishe bërë betejat e tua.

E dije çfarë ishte lufta, kur duhej lidhur paqja dhe kur kompromisi ishte i pashmangshëm. Ishe i paarritshëm në këtë art!

Pata fatin të të njoh nga afër gjatë tre viteve që drejtoje “360 gradë” në Ora News dhe çdo kafe me ty ishte një leksion politike, gazetarie, letërsie, gati-gati një takim nga ato ku duheshin mbajtur shënime. Sa bukur artikuloje, sa citime dhe sa shumë këshilla jete të jepje, sa para bagazhit dhe kulturës tënde kisha admirim. Kjo ishte ana jote e panjohur përtej magjistarit cinik të penës dhe profesionistit analitik të ekranit.

Nuk do ta harroj fillimin e vitit 2020 kur i pari kuptove se një gjëmë i kanosej botës me koronavirusin dhe druaje aq shumë për shëndetin tënd të brishtë pas një operacioni delikat.

Kur shpërtheu pandemia të takoja shpesh nga liqeni ku thoshe se kishe dalë të bëje ato kilometrat e tua, sipas porosisë që të kishte dhënë mjeku në Gjermani.

Ecje dhe bëje shumë not në Sarandë, atje ku sot vendose të ikësh përgjithmonë. Ndoshta në paqe, ngase prej kohësh ishe dorëzuar e tërhequr në universin tënd.

Do të të qajnë miqtë por jam e bindur se edhe armiqtë do ta ndiejnë humbjen e një mendjeje brilante si e jotja, sulmuesit të pandreqshëm që u tërhoq kur pa se lufta nuk mund të fitohej.

U prehsh në paqe, Arbor! Deshe të ishe një botëndreqës, si personazhi i romanit për të cilin më ke folur shumë vite më parë dhe nuk e di a pate guximin dhe durimin ta mbarosh. Por e di shumë mire se ti ishe bota per tre femijët e tu!

P.S: Nuk do ta harroj asnjëherë këshillën tënde që në fakt ishte këshilla e Poloniusit për të birin, Laertin: Nëse gjen një shok të vërtetë, lidhe pas vetes me rrathë çeliku!