Salianji: Artur Zheji, një mendje brilante që do t’i mungojë Shqipërisë!

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka shprehur dhimbjen dhe tronditjen e tij të thellë për ndarjen e parakohshme nga jeta të gazetarit dhe analistit Artur Zheji.

Në një mesazh prekës të ndarë në FB, Salianji e ka cilësuar Zhejin si një nga mendjet më brilante të kohës, një njeri me kulturë të gjerë, thellësi mendimi dhe guxim intelektual, i cili la pas një boshllëk të pamatë në jetën publike shqiptare.

Postimi i plotë:

Artur Zheji u nda sot nga jeta, duke lënë pas një boshllëk të pamatë. Ai ishte një nga mendjet më brilante të kohës, një njeri me kulturë, thellësi dhe guxim intelektual.

Kam ndarë biseda personale të thella e vërteta me Zhejin, shpesh kemi ecur me kilometra e kemi ndarë mendime e perjetime mbi shumçka njerëzore duke hyrë në skutat më të errëta të mendimeve e përjetimeve për ndodhi e ngarje të jetës.

Jam i tronditur nga humbja e tij, i goditur nga mungesa e papranueshme e ikjes së papritur të tij.

Zhejit ia doje narrativën dhe argumentin edhe në kundërshti!

Shqipëria humbi sot një intelektual të madh e të rrallë, një zë të mençur e të lirë; kush e njihte humbi një mik të shtrenjtë.

Ndarja e tij nuk është thjesht humbja e një gazetari apo intelektuali të spikatur, por një tronditje e madhe për hapësirën publike shqiptare, që sot mbetet më e varfër.

Kujtimi dhe vepra e tij do të mbeten të paharruara dhe do të ndriçojnë edhe pas ikjes.