Ia shpërthyen garazhin me tritol, çfarë tha Elvis Kosova para hetuesve: Nuk kam probleme me njeri! Ishte një person i maskuar
Elvis Kosova është emër i njohur edhe më parë për policinë, dhe me precedent penal. I njohur ndryshe si "Visi i garave", apo "Visi i makinave të shpejta", u arrestua në gusht të vitit të kaluar nga policia, pasi u akuzua për vjedhjen e një Audi R8 me vlerë rreth 200 mijë euro, por rezulton të jetë liruar disa ditë më vonë.
Para hetuesve ka deklaruar se nuk ka asnjë problem me njeri dhe nuk dyshon te asnjë person. Lënda plasëse është vendosur nga një person i maskuar, i cili pasi e ka lënë është larguar nga vendngjarja në këmbë.
Lëndën plasëse e ka lënë në pjesën hyrëse të garazhit dhe nga fuqia plasëse janë dëmtuar 4 makina të parkuara afër, jashtë garazhit
Ngjarja është shënuar rreth orës 03:50, ndërkohë që policia po këqyr pamjet filmike për të bërë të mundur identifikimin e autorit si dhe zbardhjen e ngjarjes.

“Rreth orës 03:50, në rrugën “Peti”, dyshohet se në portën hyrëse të garazhit të shtetasit E. K., 39 vjeç, është vendosur dhe ka shpërthyer një sasi e dyshuar lënde plasëse.
Si pasojë janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në disa automjete, të parkuara. Grupi hetimor ka administruar pamjet filmike nga vendngjarja dhe po vijon punën për identifikimin dhe kapjen e autorit, si dhe për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.”, njofton policia.

