MESAZH ME TRITOL/ Shpërthim në Tiranë në orët e para të mëngjesit, dëmtohen disa automjete në garazhin e 39-vjeçarit (PAMJET E PARA)
Një shpërthim i fuqishëm ka tronditur lagjen pranë rrugës “Peti” në Tiranë rreth orës 03:50 të mëngjesit të sotëm, ku dyshohet se një sasi e lëndës plasëse është vendosur në portën hyrëse të garazhit të shtetasit E.K., 39 vjeç.
Si pasojë e shpërthimit janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në disa automjete të parkuara pranë garazhit, ndërsa fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar.
Policia dhe grupi hetimor ndodhen në vendngjarje dhe kanë administruar pamjet filmike nga kamerat e sigurisë përreth zonës. Hetimet po vijojnë për identifikimin dhe kapjen e autorëve, si dhe për dokumentimin e plotë të motiveve dhe rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë.

Tiranë/Informacione paraprake.
-Rreth orës 03:50, në rrugën “Peti”, dyshohet se në portën hyrëse të garazhit të shtetasit E. K., 39 vjeç, është vendosur dhe ka shpërthyer një sasi e dyshuar lënde plasëse. Si pasojë janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në disa automjete, të parkuara.
Grupi hetimor ka administruar pamjet filmike nga vendngjarja dhe po vijon punën për identifikimin dhe kapjen e autorit, si dhe për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Kush është shënjestra?
Elvis Kosova është pronari i garazhit, që iu vendos tritol në orët e para të mëngjesit të së enjtes.
Lënda plasëse dyshohet se ishte vendosur në portën hyrëse të garazhit të 39 vjeçarit. Si pasojë e shpërthimit janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në disa automjete, të parkuara.
Një emër i njohur për policinë, Elvis Kosova ka precedent të mëparshëm penal. I njohur ndryshe si Visi i garave, apo Visi i makinave te shpejta, ai u arrestua në gusht të vitit 2024 për shkak se u akuzua për vjedhjen e nje audi R8 me vlerë 200 mijë euro.
Lidhur me këtë rast, bashkë me të u vu në pranga edhe një shtetas turk. Shtetasi turk kishte marrë me qira një automjet të markës ‘Audi’ në Gjermani.
Pasi kishte hyrë në territorin shqiptar, automjeti iu dorëzua Elvis Kosovës, i cili dyshohet se ka manipuluar situatën për ta përvetësuar automjetin për vete. Shtetasi turk më pas bëri një kallëzim pranë autoriteteve duke pretenduar se automjeti i ishte vjedhur pranë një hoteli afër stadiumit “Air Albania” në Tiranë.



