“TËRMET” NË BASHKINË E FIERIT/ Disa zyrtarë të arrestuar, mes tyre edhe bashkëpunëtorja e ngushtë e Armando Subashit. Policia jep detajet e para të operacionit
Policia, në bashkëpunim me Prokurorinë e Fierit, kanë ndërmarrë një operacion mbrëmjen e djeshëm, ku kanë ekzekutuar disa urdhër-arreste.
Burime për mediat bëjnë me dije se një prej të arrestuarëve është edhe nënkryetarja e Bashkisë së Fierit, Adela Hysenaj, e njohur si një bashkëpunëtore e ngushtë e kryebashkiakut Armando Subashi. Mësohet se ndaj saj është caktuar masa e sigurisë “arrest në shtëpi”
Policia e Fierit ka dhene dhe disa nga detajet e operacionit, i cili është ende në vijim.
Në fokus të hetimeve ishte mosarkëtimi i rreth 40 milionë lekëve nga parkimi nëntokësor në qytet, për shkak të mospajisjes me kasë fiskale dhe favorizimit të subjekteve tregtare, përmes uljes së padrejtë të taksave.
TË NDALUARIT DHE MASAT E EKZEKUTUARA JANË:
Adela Hysenaj, 34 vjeçe, ish-drejtoreshë e Taksave dhe Urbanistikës, si dhe ish-nënkryetare e Bashkisë Fier, është vendosur në “arrest shtëpie” për shpërdorim detyre dhe ushtrim ndikimi të paligjshëm ndaj funksionarëve publikë.
Vasil Ceku, 41 vjeç, drejtor në Drejtorinë Rajonale Tatimore Fier, është vendosur në arrest shtëpie dhe pezullim nga detyra, i dyshuar për shpërdorim detyre.
Anisa Cjapi, 38 vjeçe, drejtoreshë e Taksave dhe Tarifave Vendore në Bashkinë Fier, është pezulluar nga detyra për shpërdorim detyre.
Martin Dodi, 57 vjeç, sekretari i përgjithshëm i Bashkisë Fier, është ndaluar të ushtrojë funksione publike dhe t’i lërë kufijtë e vendit, pasi dyshohet për ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve të tjerë.
Sipas Policisë, këta zyrtarë kanë vepruar në kundërshtim me ligjin dhe kanë krijuar mungesë të ardhurash në buxhetin vendor, duke dëmtuar interesin publik dhe duke favorizuar biznese të caktuara.
Njoftimi i Policise Fier
Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Fier në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, pas një pune hetimore disamujore, në kuadër të një procedimi penal të vitit 2025, ka finalizuar operacionin policor “Parking”.
Në kuadër të tij u ekzekutuan masat e sigurisë:
- “Arrest në shtëpi” për shtetasen A. H., 34 vjeçe, banuese në Fier, ish-Drejtoreshë e Përgjithshme e Taksave dhe Urbanistikës së Bashkisë Fier dhe ish-Zëvëndës Kryetare e Bashkisë Fier, për veprat penale "Shperdorimi i detyrës” dhe "Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike;
- "Arrest në shtëpi” dhe "Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik" për shtetasin V. C., 41 vjeç, banues në Fier, Drejtor në Drejtorinë e Verifikimit dhe Koordinimit në Terren për Rajonin Jugor në Drejtorinë Rajonale Tatimore Fier, për veprën penale "Shpërdorimi i detyrës";
- "Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik", për shtetasen A. C., 38 vjeçe, banuese në Fier, Drejtoreshë në Drejtorinë e Taksave dhe Tarifave Vendore në Bashkinë Fier, për veprën penale "Shpërdorimi i detyrës";
- "Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik" dhe "Ndalimi i daljes jashtë shtetit", për shtetasin M. D, 57 vjeç, banues në Fier, sekretar i Përgjthshëm i Bashkisë Fier, për veprën penale "Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike".
Këta shtetas, duke mos vepruar sipas kuadrit ligjor për vendosjen e kasës së fiskalizimit për parkimin nëntokësor që administron Bashkia Fier, nuk kanë arkëtuar shumën prej rreth 40 milion lekë në arkat e Bashkisë Fier.
Gjithashtu, këta shtetas, nëpërmjet shpërdorimit të detyrës, kanë ulur taksat e subjekteve të ndryshme tregëtare në Fier, kundrejtë përfitimit.
Materialet i kaluan Prokurorisë Fier, për veprime të mëtejshme.


