VIDEO-FOTO/ Në kërkim ndërkombëtar si pjesë e një grupi kriminal dhe i akuzuar për vr*sje, zbarkon në Rinas, Denis Bajri
Finalizohen procedurat për ekstradimin e shtetasit shqiptar Denis Bajri nga Emiratet e Bashkuara Arabe në Shqipëri.
Policia e Shtetit njofton se: "Në vijim të bashkëpunimit intensiv të Interpol Tiranës me homologët në Emiratet e Bashkuara Arabe, në kuadër të operacionit policor ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, rreth orës 16:30, u finalizuan procedurat për ekstradimin nga Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe, në Shqipëri, të shtetasit shqiptar Denis Bajri 37 vjeç.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale: “Vrasja me paramendim”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal; “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municioneve”; “Grupi i strukturuar kriminal”; “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”; dhe “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal".
Denis Bajri Brajoviç dyshohet se autor i vrasjes së Gjon Ndojt (Boriçi), krimi ndodhur më 9 Gusht 2020 në Shkodër. Ekzekutimin e shokut të tij Ndoj, Bajri e bëri me porosi të Ervis Martinajt.
Denis Bajri, në përfundim të procedurave iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme së Burgjeve.
Akuzat e SPAK-ut
Një nga akuzat është dhe vrasja e Gjin Ndojit në 9 gusht të vitit 2020 në Shkodër.
Kanë qenë bisedat në aplikacionin “Sky” që kanë zbuluar detaje mbi ngjarjen e asaj kohe, duke e shtyrë Prokurorinë e Posaçme në zbulimin e fakteve dhe shkaqeve të ngjarjes së rëndë.
Në komunikime autori i akuzuar komunikon me personat e tjerë se në momentin kur ka qëlluar iu bllokua arma, por më tej e ka shkrepur me breshëri dhe më pas ka djegur makinën që përdori për krimin.
SPAK dyshon se ka qenë Ervis Martinaj që ka kërkuar eliminimin, ndërsa në këmbim të kësaj vepre Martinaj do të realizonte vrasjen e Kleant Musabelliut, e cila nuk u realizua.
Për këtë të fundit dyshohet se ishte biznesmeni Pëllumb Gjoka që e kishte kërkuar si pasojë e një përplasje që kishin pasur më herët.
Të dhënat dalin në dosjen “Metamorfoza” ku shfaqen komunikimet mbi krimet e rënda, por dhe korrupsion dhe implikim të zyrtarëve të ndryshëm.


