PAMJE/ Ngjarjet kriminale, RENEA dhe Operacionalja kontrolle në Sarandë

Strukturat policore në Sarandë kanë kaluar në gjendje gatishmërie për shkak të ngjarjeve kriminale të ndodhura ditët e fundit në qytet.

Paraditen e djeshme forcat “RENEA”, kryen kontrolle në një pjesë të zonave të braktisuara të periferisë, me qëllim kapjen e të paktën 5 personave të kërkuar, njëri prej të cilëve i paidentifikuar, të përfshirë në dy ngjarje me përdorim arme zjarri dhe një tjetër me shpërthim eksplozivi.

Ndërkohë mbrëmjen e djeshme, dy automjete civile me efektivë të operacionales së Vlorës, kanë ndaluar në ecje makina të rastësishme në akset më turistike të Sarandës dhe Ksamilit.

Komisariati i Sarandës po mundohet të përballojë elemente të armatosura me strukturën e një komisariati të vogël, ku veprat penale të rënda dhe ato të krimit të organizuar, tashmë hetohen nga Drejtoria e Vlorës.

Shkak për këtë ndryshim hetimesh raportohet se është bërë vendimi për ndërrimin e strukturës në një Komisariat që mbulon të paktën 4 Bashki. Thuhet po ashtu se fokusimi i këtyre ditëve tek ngjarjet e rënda, ka lënë zbuluar menaxhimin e trafikut në qytet, menaxhimin e plazheve apo trajtimin e konflikteve të vogla, që mund të rezultojnë në vijim me pasoja më të mëdha.