240 MLN € DËMI I BANKERS/ Rusta: Historia e Bankersit s’është asgjë tjetër se vetëm evazion fiskal i pastër

Skandali Bankers Petroleum, afera 240 milionëshe që përfshiu institucionet shqiptare dhe hetimi i dhjetërave personave nga Prokuroria e Fierit ishte temë e diskutimit të kësaj të mërkure në emisionin “Ora e Betit” të moderatores Beti Njuma në “Ora News”.

Gazetari Arsen Rusta u shpreh se nuk ka thjesht një çështje “Bankers”.

“Sepse Bankers nuk është një privat i cili ka ardhur ka bërë një investim dhe është investitor. Ka marrë një aset të cilin po e përdor. Bankers është filmi që do të shikojmë ne dhe brezat e ardhshëm për çdo kontratë koncensionare. Është një kontratë koncensionare e mirëfilltë, dhe ky do të jetë fati i të gjitha PPP-ve.

Nuk erdhi nga Kina Bankersi, thuhet në letra kështu, por është kompani off-shore. Mund të jenë shqiptarë, edhe kinezë apo kanadezë.

Pra, është një kompani që erdhi me një valixhe me disa lekë, bëri një marrëveshje, gjeti disa politikanë, drejtues, apo administratorë u ulën dhe bënë marrëveshjen: “do investojmë ne, do t’i ndajmë fitimet bashkë”.

Ata kanë investuar, ata kanë nxjerrë naftë nga toka jonë dhe fitimet nuk janë ndarë, sepse në letra kanë sjellë investime dhe humbje.

Në këtë çështje nuk ka asgjë tjetër vetëm evazion fiskal. Edhe nëse ka korrupsion, të kujt? Të Partisë Demokratike?! Të Partisë Socialiste?! Studiot kanë ofruar shërbim. Po ta lexosh vendimin e Gjykatës thuhet studio e drejtuar nga Alket Hyseni, ish-eksponent i majtë, sot jurist dhe biznesmen dhe ka një studio.

Në vendimin e gjykatës thuhet se kjo studio i ka ofruar shërbimet në mënyrë korrekte, pra pa fatura fiktive. Është studioja e drejtuar nga ish-ministri i Drejtësisë në qeverinë e djathtë, Eduard Halimi.

E njëjta gjë edhe pse studion e z. Çerekia, ku gjykata thotë se studiot kanë marrë miliona dollarë dhe ka vetëm një të punësuar. Aftësia e tij juridike vlen kaq.

Pra, të njëjtën problematikë do të hasim edhe me Sterilizimin dhe apo me koncesionet e tjera të mëdha. Ishim shumë mirë ne me kompanitë shtetërore, çfarë të keqe ka prej tyre”, u shpreh ndër të tjera gazetari Arsen Rusta.

NDIQNI EMISIONIN E PLOTË “ORA E BETIT” NË “ORA NEWS”