Interi ka gati planin B, Xavi Simons si alternativë për Lookman

Inter ka filluar të ndërtojë strategjinë e merkatos për sezonin e ri dhe një nga prioritetet e klubit është përforcimi i repartit sulmues.

Objektivi kryesor mbetet futbollisti i Atalantës, Ademola Lookman, por sipas raportimeve nga Italia, drejtuesit zikaltër po mbajnë të hapura edhe mundësi alternative dhe emri i Xavi Simons është gjithnjë e më konkret.

Sipas “Tuttomercatoweb”, drejtori sportiv i Interit, Piero Ausilio ka zhvilluar kontakte të drejtpërdrejta me përfaqësuesit e mesfushorit holandez, aktualisht pjesë e RB Leipzig në Gjermani.

Bisedimet janë në fazë aktive dhe Simons shihet si “plani B” nëse transferimi i Lookman nuk finalizohet.

23-vjeçari ka lënë gjurmë në Bundesligë dhe mbetet një nga talentet më premtues të brezit të tij.

Leipzig është i hapur për ta shitur këtë verë, pasi kontrata e tij përfundon në vitin 2027, por klubi dëshiron të shmangë një situatë ku vlera e lojtarit do të bjerë në vitin e fundit të kontratës.