Arsenali më në fund do të ketë sulmuesin e shumëkërkuar, Sporting-u pranon ofertën e fundit
Arsenali është shumë pranë sigurimit të një prej goditjeve më të mëdha të merkatos verore: Viktor Gyökeres.
Sipas asaj që raporton gazetari i besueshëm David Ornstein nga ‘The Athletic’, Sporting i Lisbonës ka pranuar ofertën e fundit të “Topçinjve” për sulmuesin suedez, një marrëveshje që përfshin 63.5 milionë euro plus 10 milionë në formë bonusesh.
Detajet e fundit lidhur me bonuset janë duke u finalizuar, por palët janë shumë afër marrëveshjes përfundimtare.
Gyökeres, i cili ka shkëlqyer sezonin e fundit me Sporting-un, ka shprehur qartë dëshirën për t’u bashkuar me Arsenalin dhe ka refuzuar opsione të tjera.
Për 26-vjeçarin është gati një kontratë pesëvjeçare në "Emirates Stadium".
Ky pritet të jetë transferimi më i rëndësishëm i Arsenalit në një verë ku skuadra e Artetës ka qenë mjaft aktive, duke siguruar edhe afrime si Zubimendi, Norgaard, Kepa dhe Madueke.
Megjithatë, trajneri Mikel Arteta ka zgjedhur të jetë i rezervuar në deklarata: “Jemi ende në kërkim dhe ka ende kohë në merkato.
Duhet të përmirësojmë si në cilësi, ashtu edhe në thellësi të skuadrës.
Nuk mund të komentoj për asnjë lojtar që nuk është pjesë e grupit tonë. Kur të kemi diçka konkrete, do ta njoftojmë.”
Me afrimin e Gyökeres, Arsenali dërgon një sinjal të fortë për ambiciet e sezonit të ri, ku objektivi mbetet titulli në Premier League dhe një ecuri e suksesshme në Europë.
