Musiala rikthehet me buzëqeshje te Bajerni, rruga drejt rikuperimit ka nisur
Jamal Musiala vizitoi qendrën stërvitore të Bajernit të Mynihut të hënën.
Superylli i Mynihut mbërriti me paterica. Ishte bukur të shihej që ai tashmë mund të qeshë sërish!
Në pjesën e pasme të fushës, “Skuadra e Botës” së Bajernit (një projekt U19 me lojtarë nga e gjithë bota që kanë mundësi të tregojnë talentin e tyre te Bajerni) po zhvillonte një ndeshje miqësore kundër Rapid Vienës nën drejtimin e trajnerit Roi Makai.
Në fillim të pjesës së dytë, Musiala papritur u shfaq në fushë. Ylli i Bajernit hyri në fushë në orën 12:20 – i shoqëruar nga shoku i tij Alfonso Dejvis dhe menaxheri i lojtarëve, Johanes Mësmang.
Musiala kishte veshur një bluzë të zezë dhe pantallona të shkurtra të zeza, si dhe një mbathje speciale të madhe, gri, në këmbën e majtë.
Ylli gjerman nuk vendoste pothuajse fare peshë në këmbën e majtë.
Musiala pësoi një dëmtim të rëndë më 5 korrik gjatë humbjes 2-0 të Bajernit në çerekfinalen e Kupës së Botës për Klube ndaj PSG-së, kur portieri i PSG-së, Xhanluixhi Donaruma, ra rëndë mbi kyçin e këmbës së majtë të Musialës.
Diagnoza: fibulë e thyer dhe dëmtime të shumta në ligamentet e këmbës së majtë.
Dy ditë më vonë, ai iu nënshtrua një operacioni te specialistët e këmbës në Murnau.
Javën e kaluar, ai nisi programin e tij të rehabilitimit në Sebener Shtrase.
Aktualisht, programi i tij konsiston kryesisht në terapi fizike, drenim limfatik me fizioterapistët dhe mobilizim të kujdesshëm.
Musiala nuk solli fat për ekipin U19 ndërkombëtar të Bajernit të hënën – pak pas ardhjes së tij, austriakët shënuan për 2-1. Megjithatë, më vonë, Bajerni barazoi në 2-2 kundër Rapidit.
Pas rreth dhjetë minutash, Musiala u largua me paterica nga fusha kryesore e stërvitjes dhe u kthye në godinën e profesionistëve.
Çfarë ra në sy nga paraqitja e tij e parë publike që nga operacioni: Ylli ofensiv qeshte shumë, bënte shaka me Dejvis dhe Mësmang, dhe ishte dukshëm në humor të mirë.
Madje, realizoi edhe disa foto me tifozët gjatë ndeshjes miqësore!
Duket se shoku i dëmtimit tashmë është kapërcyer – dhe Musiala mund të nis rrugëtimin drejt rikthimit!
Megjithatë, tifozët duhet të kenë durim përpara se ta shohin sërish magjinë e tij në fushë: Musiala do të mungojë për afërsisht katër deri në pesë muaj.