Përfundon telenovela ‘Calhanoglu’, menaxheri i tij: Nuk shkon as te Fenerbahce, as te Galatasaray...
Pas spekulimesh dhe lajmesh të shumta në medien turke dhe italiane, telenovela rreth së ardhmes së Hakan Calhanoglu ka marrë fund.
Mesfushori turk do të qëndrojë tek Interi. Këtë e ka konfirmuar zyrtarisht agjenti i tij, Gordon Stipic, në një intervistë për TRT Sport.
“Calhanoglu nuk do të shkojë as te Fenerbahçe, as te Galatasaray. Do të qëndrojë tek Interi. Nuk ka kërkuar kurrë të largohet apo të ndryshojë skuadër.
Nuk ka asnjë negociatë me Fenerin, as me Galan. Hakan do të mbetet në Milano,” deklaroi përfaqësuesi i lojtarit.
Stipic shtoi se gjatë pushimeve të lojtarit kanë pasur shumë telefonata dhe interesime, por theksoi se gjithçka është thjesht zhurmë mediatike: “Janë përhapur shumë lajme gjatë kohës që Hakan ishte me pushime.
Këto gjëra ndodhin, por proceset e tilla duhen menaxhuar me kujdes nga ata që marrin vendimet.
Ne nuk kemi asnjë qëllim për t’u larguar nga Interi. Ai është shumë i lumtur aty.”
Në fund, menaxheri pranoi diçka që nuk është sekret për tifozët turq: “Nuk mund ta fsheh që Hakan ka qenë tifoz i Galatasaray-t që në fëmijëri.
Por nuk ka asnjë ofertë, as takime, as marrëveshje. Nga sa di unë, Galatasaray ka plane të tjera.”
Deklaratat e menaxherit u japin fund thashethemeve dhe konfirmojnë se Calhanoglu do të vazhdojë të jetë një pjesë kyçe e mesfushës së Interit edhe në sezonin e ri.
