Bastet e paligjshme/ Tronditet futbolli italian, dënohet portieri i klubit të Serie A

Portieri i Udineses, Maduka Okoye, është dënuar me dy muaj pezullim për shkak të bastvënieve të paligjshme, duke shmangur një ndëshkim shumë më të rëndë prej katër vitesh, që mund t’i ishte dhënë nëse do të shpallej fajtor për manipulim sportiv.

Skandali nisi më 11 mars 2024, gjatë ndeshjes mes Udineses dhe Lazios në “Stadio Olimpico”, ku Okoye u ndëshkua me karton të verdhë për vonesa në lojë, teksa skuadra e tij kryesonte 2-1 në minutën e 64-të.

Në atë kohë, autoritetet vunë re një valë të pazakontë bastesh pikërisht për kartonin e verdhë që do të merrte portieri, me fitime të dyshuara mbi 120 mijë euro, kryesisht nga zona e Udines.

Pas hetimeve të nisura, Okoye dhe tre miq të tij u morën në pyetje, dhe rasti kaloi për shqyrtim në komisionin disiplinor në qershor 2025.

Edhe pse fillimisht rrezikonte një dënim maksimal prej katër vitesh për trukim ndeshjesh, ai u shpall fajtor vetëm për bastvënie të paligjshme, duke shpëtuar nga ndëshkimi më i rëndë.

Pezullimi i tij do të hyjë në fuqi nga ndeshja e parë zyrtare e sezonit 2025-26, më 18 gusht në Kupën e Italisë ndaj Carrarese-s.

Ai do të mungojë në gjashtë javët e para të Serie A-së, për t’u rikthyer më 19 tetor.

Okoye, 25 vjeç, është portieri i përfaqësueses së Nigerisë me 18 paraqitje ndërkombëtare dhe iu bashkua Udineses nga Ëatford në vitin 2023.

Pezullimi i tij pritet të ndikojë ndjeshëm në fillimin e sezonit për klubin friulian.