DUMFRIES NUK LARGOHET! Barcelona nuk jep ofertë, negociata me Lookman
Denzel Dumfries duket se nuk do të lëvizë nga Interi, ndërsa dhe Barcelona po nguron për një ofertë konkrete. Ndërkohë, zikaltrit vazhdojnë përpjekjet për Ademola Lookman, por Atalanta nuk pranon më pak se 50 milionë euro.
Barcelona nuk ka bërë asnjë lëvizje për mbrojtësin e krahut të djathtë të interit Denzel Dumfries. Sipas gazetarit Fabrizio Romano, agjentët e futbollistit holandez e kanë ofruar te katalanasit, por nga ana e Barcelonës nuk ka pasur as interesim konkret, as ofertë për lojtarin dhe as për Interin.
Në këtë fazë të merkatos, Barça është e përqendruar totalisht te rinovimi i kontratës së Jules Koundé, i cili ka tërhequr interesin e Manchester City.
Francezi ka kontratë deri në 2027, por është një element kyç në formacionin e Hansi Flick dhe drejtuesit katalanas duan ta "blindojnë". Kjo tregon qartë se Dumfries, i cili luan në të njëjtin pozicion, nuk është prioritet për momentin.
Klausola e lirimit prej 25 milionë eurosh për Dumfries skadon më 31 korrik dhe me vetëm 9 ditë deri në atë afat, gjasat që ndonjë klub ta paguajë të plotë po bëhen gjithnjë e më të vogla. Kështu, mbrojtësi holandez është gjithnjë e më afër qëndrimit në Milano – të paktën për tani.
Ndërkohë, Interi vazhdon të ëndërrojë për sulmuesin e Atalantës, Ademola Lookman. Pas ofertës prej 40 milionë eurosh të refuzuar nga klubi bergamask, drejtuesit zikaltër – Marotta dhe Ausilio – i kanë kërkuar pronarëve të Oaktree një shtesë buxheti për të tentuar sërish.
Megjithatë, Atalanta nuk lëviz nga kërkesa për 50 milionë euro. Mundësia për të arritur një marrëveshje mbetet nëse ofrohen 45 milionë si bazë dhe 5 milionë bonuse – skemë që mund të sjellë “dritën jeshile”, por gjithçka varet nga vendimi final i Oaktree.
Nga ana tjetër, Atalanta nuk ka nevojë për të shitur dhe nuk do të heqë dorë nga pretendimet financiare, edhe nëse rrezikon ta mbajë në skuadër një lojtar të pakënaqur.
Sipas gazetarit Alfredo Pedullà, “La Dea” ka nisur kontakte të para për Federico Chiesa, si zëvendësues potencial për Lookman, në rast se transferimi realizohet.

