Zyrtare/ Francisco Conceição firmos me Juventusin deri në vitin 2030

Francisco Conceição është zyrtarisht futbollist i Juventusit.

Pas një sezoni të kaluar në huazim te bardhezinjtë, që përfundoi pas pjesëmarrjes në Botërorin për Klube në SHBA, sulmuesi i ri portugez rikthehet në Torino, këtë herë si lojtar me të drejta të plota.

Juventusi ka konfirmuar blerjen e tij përfundimtare nga Porto për një shumë prej 30.4 milionë euro, e pagueshme në katër këste, plus 1.6 milionë euro të tjera si bonuse shtesë.

Ai ka nënshkruar një kontratë që e mban të lidhur me “Zonjën e Vjetër” deri më 30 qershor 2030.

Në komunikatën zyrtare, klubi italian e përshkruan këtë rikthim si një lajm të bukur për të gjithë:

“Pas performancave të shkëlqyera gjatë huazimit të parë, Francisco Conceição rikthehet te Juventusi për të vazhduar rrugëtimin e tij me ngjyrat bardhezi.

Me teknikën, zgjuarsinë taktike dhe përkushtimin e tij, ai ka fituar menjëherë respektin e grupit dhe tifozëve.

Rikthimi i tij është një konfirmim i asaj që ne pamë dhe vlerësuam gjatë sezonit të fundit.”

Në sezonin e kaluar, Conceição u aktivizua në 40 ndeshje me Juventusin, në të gjitha kompeticionet, më shumë se gjysma prej tyre si titullar.

Ai shënoi 7 gola, përfshirë dy gola të rëndësishëm në Kupën e Botës për Klube kundër Al-Ain, dhe kontribuoi me 4 asistime.

Një investim i rëndësishëm dhe një konfirmim i vendosur nga Juventusi për një lojtar që po fiton gjithnjë e më shumë peshë në projektin e ri teknik të klubit.