Thomas Müller drejt MLS, legjenda e Bayern-it gati për aventurën amerikane

Pas një karriere të jashtëzakonshme me Bayernin, Thomas Müller është gati të shkruajë një kapitull të ri në futbollin ndërkombëtar.

Sipas raportimeve nga Sky Sport, sulmuesi legjendar gjerman ka marrë një vendim të qartë: të transferohet në Major League Soccer (MLS) dhe njoftimi zyrtar për të ardhmen e tij pritet të bëhet publik brenda 7 deri në 10 ditë.

Pas 25 vitesh në radhët e Bayernit, me 756 paraqitje dhe 250 gola të shënuar, kontrata e 35-vjeçarit ka përfunduar dhe ai është tani një lojtar i lirë.

Klubi që ka hedhur hapin konkret për të është Los Angeles FC, një partner strategjik i Bayernit në SHBA, i cili ka përfituar nga largimi i Olivier Giroud për të ofruar një pagë vjetore prej 4 milionë eurosh përmes rregullores së “Designated Player” në MLS.

Me përvojën, karizmën dhe famën e tij ndërkombëtare, Thomas Müller do të ishte një përforcim i jashtëzakonshëm për kampionatin amerikan dhe një tjetër emër i madh që ndjek rrugën e ‘yjeve’ europiane drejt SHBA-së.

Ai duket i vendosur për ta mbyllur karrierën mes dritave të Los Angeles-it, por këtë herë, jo në ‘Allianz Arena’, por në fushat e MLS.