Ancelotti beson te Neymar: Një lojtar i rëndësishëm për Brazilin në Botëror

Pas sigurimit të kualifikimit për Kupën e Botës 2026, trajneri i Brazilit, Carlo Ancelotti, ka nisur të ndërtojë me kujdes skuadrën që do të synojë titullin e shumëpritur.

“Seleção”-s i mungon triumfi në një Botëror që prej vitit 2002, dhe për një komb që ka fituar pesë herë, ky është një “agjërim” që nuk tolerohet më.

Në një periudhë tranzicioni, me shumë emra të rinj dhe mungesën e ‘yjeve’ absolutë të së kaluarës, Ancelotti ka vendosur t’i japë formë skuadrës së tij rreth Vinicius Junior.

Por ndër figurat që ngjallin më shumë debat është pa dyshim Neymar, i cili është kthyer në Brazil për të luajtur me Santosin, klub ku u rrit si futbollist.

Pavarësisht dëmtimeve të shpeshta dhe dyshimeve mbi formën e tij, Ancelotti e sheh Neymarin si pjesë kyçe të projektit:

“Duhet të përgatitet mirë, ka gjithë kohën që i nevojitet për ta bërë këtë,” – u shpreh tekniku italian për CONMEBOL.

“Për ne, Neymar është një lojtar shumë i rëndësishëm në funksion të Kupës së Botës.”

Ancelotti beson se përvoja dhe cilësia e Neymar-it mund të jenë vendimtare për ambiciet e Brazilit në Amerikën e Veriut, aty ku “pentakampeonët” do të kërkojnë me ngulm titullin e gjashtë botëror.