Monaco synon Ter Stegen-in, janë kryer kontaktet e para me portierin e Barcelonës
Pas emrave si Paul Pogba dhe Ansu Fati, Monaco ka vënë në shënjestër një tjetër përforcim të madh.
Sipas raportimeve të ‘L’Équipe’, klubi nga Principata ka nisur kontaktet me Marc-André ter Stegen për të testuar mundësinë e një transferimi të portierit gjerman nga Barcelona.
Monaco është e zhgënjyer nga paraqitjet e deritanishme të Philipp Köhn dhe Radosław Majecki dhe kërkon një ‘gardian’ të besueshëm për sezonin e ardhshëm, veçanërisht për pjesëmarrjen në Champions League, një objektiv madhor për klubin që kërkon të konfirmojë ambiciet në rritje.
Ter Stegen mund të joshet nga oferta: titullar i padiskutueshëm, më pak presion krahasuar me ambientin në “Camp Nou” dhe një klimë më e qetë për t’u përgatitur për Kupën e Botës të vitit të ardhshëm, një turne që ai nuk dëshiron ta humbasë.
Për më tepër, afërsia gjeografike me Katalunjën, ku ai jeton aktualisht me familjen, e bën transferimin edhe më të lehtë në aspektin logjistik.
Megjithatë, vendimi përfundimtar do të jetë në duart e trajnerit Hansi Flick.
Tekniku i ri i Barcelonës, i njohur për sinqeritetin ndaj lojtarëve, ka shprehur disa dyshime mbi gjendjen fizike të Ter Stegen-it dhe ka dhënë dritën jeshile për afrimin e Joan García-s.
Tashmë pritet një takim mes Flick dhe Ter Stegen, i cili nuk ka përjashtuar largimin dhe po shqyrton mundësitë që ofron merkatoja, veçanërisht pas zhgënjimit të fundit nga mënyra si është trajtuar nga klubi katalanas.
