De Gea ‘thumbon’ Ronaldon pas rinovimit me Al Nassr: Dhe duke luajtur falas…

Rinovimi i kontratës së Cristiano Ronaldos me Al Nassr ka tërhequr vëmendjen e mbarë botës, jo vetëm për shkak të emrit të madh, por edhe për shifrat marramendëse që përfshin.

Portugezi ka firmosur deri në vitin 2027 dhe pritet të bëhet lojtari më i paguar në historinë e futbollit, me 15.2 milionë euro në muaj, apo 182.4 milionë euro në vit, pa llogaritur 5% të aksioneve të klubit që, sipas medieve, i janë ofruar si pjesë e marrëveshjes.

Në mesin e komenteve të shumta që mori njoftimi zyrtar i Ronaldos, ra në sy ai i portierit spanjoll David De Gea, mik dhe ish-shok skuadre me CR7 te Manchester United.

Teksa Ronaldo shkruante në rrjetet sociale: “Një kapitull i ri nis. I njëjti pasion, e njëjta ëndërr. Le të bëjmë histori bashkë”, De Gea reagoi me një koment therës:

“E duke luajtur falas”, duke shtuar një ‘emoji’ që qesh me lot dhe duke e etiketuar Ronaldon dhe llogaritë e Al Nassr.

Një koment me nota humori që nuk kaloi pa u vënë re, por që gjithashtu ngjalli shumë reagime në rrjet, mes batutave dhe kritikave.

Edhe kësaj here, ‘ylli’ portugez është në qendër të vëmendjes, jo vetëm për golat, por edhe për kontratat rekord që vazhdojnë të bëjnë histori.