Barcelona ndjek shembullin e Interit, emeton obligacione prej 424 milionë eurosh për rifinancimin e stadiumit

Barcelona ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm financiar për të siguruar të ardhmen e projektit madhor “Espai Barça”.

Klubi katalanas ka përfunduar një operacion të ri strategjik, duke emetuar një obligacion prej 424 milionë eurosh, me qëllim rifinancimin e një pjese të borxhit të marrë më parë për rikonstruksionin e stadiumit Spotify Camp Nou.

Ky zhvillim vjen pak muaj para rikthimit zyrtar të skuadrës së parë në shtëpinë e rinovuar, më 10 gusht.

Operacioni është realizuar në bashkëpunim me ‘Goldman Sachs’, partner i rregullt financiar i klubit.

Përmes së njëjtës strukturë të përdorur edhe më herët, Barcelona ka arritur të konvertojë borxhet me afat maturimi në vitin 2028, të lidhura me projektin e stadiumit, në një formulë të re pagesash afatgjatë.

Pagesat e reja do të nisin në vitin 2033 dhe do të përfundojnë deri në vitin 2050, me një normë interesi prej 5,19%, më e lartë se ajo e marrëveshjes prej 350 milionë eurosh që Interi njoftoi një ditë më parë.

Klubi ka nënvizuar se suksesi i këtij operacioni tregon besimin në rritje të tregjeve financiare ndaj stabilitetit ekonomik të Barcelonës, duke theksuar se rreziku i perceptuar nga investitorët është përgjysmuar krahasuar me emetimin e parë të vitit 2023.

Kujtojmë se në prill të vitit të kaluar, Barcelona kishte siguruar një financim gjigant prej 1,45 miliardë eurosh për të njëjtin projekt, pa përdorur garanci mbi pasuritë e klubit apo hipotekë mbi stadiumin.

Ky plan përfshin një strukturë fleksibël shlyerjeje për periudha 5, 7, 9, 20 dhe 24-vjeçare, me pagesat që do të nisin vetëm pasi të përfundojnë punimet.

Këto shlyerje do të mbulohen nga të ardhurat që priten të gjenerohen nga stadiumi i ri, të cilat vlerësohen në rreth 247 milionë euro në vit.

Përveçse një hap i rëndësishëm për infrastrukturën, ky operacion synon të garantojë qëndrueshmëri financiare afatgjatë për Barcelonën.