Fitore shpresëdhënëse për Vllazninë në Slloveni, Balaj vendos miqësoren ndaj UTA Arad

Vllaznia më në fund shijon fitoren e parë në fazën përgatitore që po zhvillon në Slloveni.

Skuadra shkodrane triumfoi pasditen e sotme me rezultatin minimal 1-0 ndaj UTA Arad, një ekip që militon në elitën e futbollit rumun.

Heroi i sfidës ishte kapiteni Bekim Balaj, i cili realizoi në minutën e 26-të golin e vetëm të ndeshjes.

Pas një rivënie anësore nga krahu i majtë, topi u devijua në zonë, aty ku sulmuesi shtatlartë shkodran u tregua i zhdërvjellët, duke e devijuar saktë me majën e këmbës drejt cepit të rrjetës, pa i dhënë asnjë shans portierit kundërshtar.

Ndeshja pati ritëm dhe raste për të dyja skuadrat, por rezultati nuk ndryshoi deri në fundin e 90 minutave.

Vllaznia u shfaq më e organizuar dhe më e balancuar në fushë, ndërsa trajneri Edi Martini vazhdoi me rotacionin e lojtarëve, duke u dhënë minuta të gjithëve për të testuar gjendjen e grupit.

Kjo ishte një fitore e vlefshme në aspektin moral për kuqeblutë, që tashmë shohin me më shumë besim drejt sfidave europiane.

Skuadra pritet të mbyllë grumbullimin në Slloveni javën e ardhshme me një tjetër miqësore ndaj Petrolul Ploiești, përpara se të rikthehet në Shkodër për përgatitjet përfundimtare të ndeshjeve zyrtare në Europë.