Botërori i Klubeve/ Asllani, pas kualifikimit të Interit: Një përballje e fortë, por objektivi u arrit

Kristjan Asllani vazhdon të tregojë vlerat e tij në fanellën e Interit.

Mesfushori shqiptar ishte sërish titullar në fitoren 2-0 ndaj River Plate, duke qenë një nga lojtarët më të besuar të trajnerit Chivu në fazën e grupeve të Botërorit për Klube.

Ai ka qenë në formacionin startues në të tri ndeshjet e këtij grupi, duke dhënë një tjetër paraqitje solide, përfshirë një tentativë të rrezikshme me goditje nga distanca në pjesën e parë.

Falë këtij triumfi, Interi siguroi kalimin në raundin e 1/16-ave dhe pas ndeshjes, Asllani u shpreh i kënaqur me arritjen e skuadrës:

“Qëllimi ynë ishte të mbyllnim ndeshjen pa pësuar gol dhe ia dolëm. Ishte një përballje e vështirë, një betejë e vërtetë.

Në fillim e patëm të vështirë, por më pas morëm kontrollin dhe dominuam. Jemi të lumtur që kemi kaluar më tej.”

Forma e mirë që po kalon Asllani dhe aktivizimi i vazhdueshëm në radhët e Interit janë sinjale shumë premtuese, si për të ardhmen e tij në klubin zikaltër, ashtu edhe për Kombëtaren Shqiptare, ku roli i tij në mesfushë pritet të jetë gjithnjë e më vendimtar.