Kaos tek Auckland City, lojtarët kërkojnë shkarkimin e trajnerit, nuk njihte as Otamendin

Situatë e pazakontë ka shpërthyer në radhët e Auckland City gjatë pjesëmarrjes së tyre në Botërorin e Klubeve.

Skuadra nga Zelanda e Re, e vetmja përfaqësuese amatore në këtë turne elitar, është përfshirë në një krizë të thellë pas një sërë ngjarjesh që kanë tronditur grupin.

Sipas medieve ndërkombëtare, e gjithë skuadra ka kërkuar largimin e trajnerit Paul Posa, një 63-vjeçar që në jetën e përditshme ushtron profesionin e dentistit.

Ajo që i ka vendosur kapakun situatës ndodhi pak para ndeshjes kundër Benfikës, një përballje që përfundoi me humbjen dërrmuese 6-0.

Posa, thuhet se ka pyetur kush ishte kapiteni i Benfikës. Kur iu tha se ishte Nicolas Otamendi, ai shfaqi habi të sinqertë, duke shkaktuar hutim dhe zemërim te lojtarët e tij.

Ky episod ka ndezur zemërimin e dhomave të zhveshjes, me lojtarët që kanë vendosur t’i dorëzojnë një ultimatum klubit: ose shkarkohet trajneri, ose të gjithë largohen.

Situata u përkeqësua edhe më tej kur, në një intervistë përpara ndeshjes, Posa deklaroi se Bruno Lage, ish-trajner i Benfikës, "nuk ka qenë gjatë aty" dhe shtoi: “Ndoshta është një trajner i mirë…”, duke dëshmuar një njohuri të cekët për kundërshtarët e tij.

Auckland City përfundoi aventurën në Botëror me vetëm një pikë (barazim ndaj Boca Juniors) dhe 17 gola të pësuar në tri ndeshje.

Në vend që kjo pjesëmarrje të shërbente si një mundësi e artë për t’u bërë të njohur në arenën ndërkombëtare, përfundoi si një makth i vërtetë sportivisht dhe menaxherialisht.