Milanit i duhen 40 milionë euro për Ardon Jasharin
Milani dje bëri hapa të rëndësishëm përpara për Samuele Riccin, ndërsa tashmë e ka një objektiv tjetër të madh për mesfushën: Ardon Jasharin.
Futbollisti kosovar shkëlqeu në sezonin e fundit me Club Brugge, ndërsa u shpall lojtari më i mirë i vitit në kampionatin belg.
Brugge e kishte blerë përfaqësuesin zviceran për 6 milionë euro nga Luzerni në verën e vitit 2024, ndërsa menjëherë u bë protagonist në Superligën belge teksa zhvilloi 43 ndeshje dhe realizoi 4 gola në sezonin 2024-2025.
Një statistikë me shumë respekt duke e pasur parasysh se ishte sezoni i tij i parë në Belgjikë.
Atij ia ka vënë syrin gjiganti italian, i cili ka bërë ofertë prej 27 milionë eurosh, plus 3 të tjerë nga bonuset.
Mirëpo, kjo shumë është konsideruar e pamjaftueshme nga gjiganti belg, i cili i kërkon së paku 40 milionë euro për Jasharin.
Club Brugge synon që ta mbajë lojtarin të paktën deri në verën e ardhshme në mënyrë që ta shesë më pas për një shifër shumë më të lartë duke pasur parasysh potencialin dhe mundësinë e rritjes së tij si futbollist.
Është e mundshme që transferimi të kryhet për 35 milionë euro.
Futbollisti kosovar është i gatshëm ta bëjë hapin e radhës në karrierë.
