Como në sulm për Thiaw dhe Moratan, 45 milionë në lojë, pritet ‘po’-ja e mbrojtësit gjerman

Klubi italian Como po përgatit një goditje të dyfishtë në merkato, duke synuar transferimin e futbollistëve Malick Thiaw dhe Álvaro Morata për një operacion të përbashkët me vlerë rreth 45 milionë euro.

Megjithatë, për të mbyllur marrëveshjen, mungon ende drita jeshile nga mbrojtësi gjerman i Milanit.

Transferimi i Morata-s është më i avancuar. Sulmuesi është aktualisht në huazim te Galatasaray deri në dhjetor, por ka arritur tashmë një akord personal me trajnerin Cesc Fàbregas për të kaluar te Como.

Nga ana e Milanit, nuk ka asnjë pengesë për të lejuar largimin.

Megjithatë, gjithçka varet nga dakordësia me klubin turk, i cili nuk është i gatshëm ta lëshojë lehtë.

“Morata është lojtari ynë dhe nuk duam ta lëshojmë. Galatasaray nuk ka asnjë lojtar që e jep falas,” – deklaroi nënkryetari Abdullah Kavukçu.

Oferta në tryezë pë Thiaw, vendimi në dorën e tij

Për Malick Thiaw, Como ka paraqitur një ofertë konkrete që përfshin një pagesë prej 25–30 milionë eurosh për kartonin dhe një pagë vjetore deri në 4 milionë euro, shumë më e lartë se ajo që merr aktualisht te Milani.

Vendimi përfundimtar i takon vetë Thiaw, i cili në sezonin e kaluar luajti 22 ndeshje në Serinë A dhe 5 në Champions League, duke realizuar edhe një gol historik në “Bernabeu” ndaj Real Madridit.

Milani nuk e konsideron të paprekshëm gjermanin, duke qenë se Tomori, Pavloviç dhe Gabbia gëzojnë vlerësim të lartë brenda klubit.

Një tjetër emër që mund të largohet është Yunus Musah. Amerikanit i dështoi kalimi te Napoli në javët e fundit, por tani Nottingham Forest ka bërë një sondazh për të.

Për momentin nuk ka negociata konkrete, por situata është në ndjekje dhe pritet të ketë zhvillime.