ZYRTARE/ Cristiano Ronaldo rinovon me Al Nassr, do luajë deri në moshën 42-vjeçare
Cristiano Ronaldo do të vazhdojë aventurën e tij në Arabinë Saudite. Sulmuesi legjendar portugez ka nënshkruar zyrtarisht rinovimin e kontratës me Al Nassr deri në vitin 2027, duke zgjatur bashkëpunimin edhe për dy sezone të tjera.
Ronaldo, i cili iu bashkua klubit nga Riadi në janar të vitit 2023 pasi u largua nga Manchester United, është kthyer në një figurë kyçe për Al Nassr dhe për të gjithë futbollin saudit.
Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, klubi e konfirmoi marrëveshjen e re me fjalët: “Historia vazhdon me kapitenin tonë historik”, ndërsa vetë CR7 shkroi: “Fillon një kapitull i ri. I njëjti pasion, të njëjtat ëndrra, për të bërë histori së bashku.”
Deri më tani, Cristiano Ronaldo ka zhvilluar 105 ndeshje me fanellën e Al Nassr dhe ka shënuar plot 93 gola, duke dëshmuar se mosha është vetëm një numër për një lojtar të këtij niveli.
Me këtë rinovim, Ronaldo jo vetëm që forcon rolin e tij si ikonë e futbollit ndërkombëtar, por edhe si ambasador i rritjes së këtij sporti në Lindjen e Mesme.
