LIVERPOOL NUK DORËZOHET! Përforcimi 40 milionë paund në mbrojtje

Liverpool synon të jetë edhe më i fortë në sezonin e ardhshëm në Premierë Ligë. Këtë të enjte u zyrtarizua afrimi i mbrojtësit Kerkez për të cilin u shpenzuan 40 milionë paund

Pas fitimit të titullit në Premier League, Liverpool ka hyrë fuqishëm në merkaton e verës 2025, duke mos rënë në rehati.

Transferimi i mbrojtësit të majtë hungarez, Milos Kerkez nga Bournemouth për 40 milionë paund, është goditja më e fundit, që e çon totalin e shpenzimeve të klubit këtë verë në 171.5 milionë paund, pa përfshirë bonuset.

Blerja më e bujshme ka qenë ajo e Florian Wirtz për 100 milionë paund, një shumë që mund të rritet deri në 116 milionë.

Kerkez, 21-vjeçari që shkëlqeu në sezonin e fundit të Premier League, është cilësuar si një nga yjet në ngjitje të kampionatit anglez.

“Është një nder i madh dhe privilegj të luaj për një nga klubet më të mëdha në botë, klubin më të madh në Angli. Do të jap gjithçka për këtë fanellë dhe mezi pres të dëgjoj ulërimën e Anfield-it”, tha ai pas zyrtarizimit nw daljen pwr mediet.

Kerkez pritet të rivalizojë direkt me Andy Robertson, i cili ka qenë titullar i padiskutueshëm në krahun e majtë, por që këtë sezon ka mbetur pas Kerkez në statistika kyçe si asistet, kilometrat e përshkuara dhe topat e rikuperuar.

Me interesimin e Atletico Madridit për skocezin, ardhja e hungarezit mund të sinjalizojë fundin e aventurës për një ndër lojtarët më simbolikë të epokës së Klopp.

Lëvizjet në krahun e majtë nuk janë të vetmet që pritet të sjellin tronditje në organikën e Liverpool-it. Klubi synon të balancojë shpenzimet me disa largime të detyruara.

Jarell Quansah, mbrojtësi i ri i akademisë që u aktivizua shpesh sezonin e kaluar, është pranë transferimit te Bayer Leverkusen. Pavarësisht talentit dhe origjinës lokale, konkurrenca me Van Dijk dhe Konaté e ka bërë hapësirën për të shumë të kufizuar.

Ndërkohë, një tjetër emër në dalje është Darwin Núñez. Sulmuesi uruguaian, i cili nuk ka arritur të përmbushë pritshmëritë, mund të largohet këtë verë, çka do të detyronte Liverpool-in të kërkojë përforcime të reja edhe në repartin ofensiv.