Thomas Muller flet për të ardhmen: Kapitulli im i ardhshëm mund të jetë...

Pas një karriere të gjatë dhe të lavdishme me fanellën e Bayernit, Thomas Muller është gjithnjë e më pranë ndarjes me klubin bavarez dhe duket se horizonti i tij i ri mund të jetë përtej Atlantikut.

Duke folur gjatë angazhimit të tij aktual në Kupën e Botës për Klube, ku po përfaqëson Bayernin, veterani gjerman ka lënë të hapur mundësinë për një transferim në Major League Soccer (MLS).

“Ka mundësi që ta vazhdoj karrierën time në MLS. Duhet të shqyrtoj me kujdes të gjitha aspektet, por për momentin fokusi im i vetëm është te Botërori për Klube,” – u shpreh Muller.

“Jam i vetëdijshëm për disa tratativa që janë në zhvillim, por nuk kam aspak nxitim. Gjithçka do në kohën e vet.”

Sipas medieve ndërkombëtare, tri skuadra amerikane janë të interesuara për shërbimet e Muller: Cincinnati, Los Angeles FC, dhe mbi të gjitha Philadelphia Union, që shihet si favoritja për të siguruar firmën e një prej figurave më ikonike në historinë e futbollit gjerman.

Në moshën 35-vjeçare, Muller kërkon një eksperiencë të re për fundin e karrierës dhe MLS mund t’i ofrojë ambientin ideal për të luajtur me më pak presion, por me të njëjtin pasion.

Për momentin, ai është i përqendruar të ndihmojë Bayernin në misionin për ta fituar Botërorin e Klubeve, por e ardhmja e tij duket gjithnjë e më shumë... amerikane.