Ndryshon situata te Polonia - Trajneri ndryshon kapitenin, Lewandowski tërhiqet nga kombëtarja!
Përçarje e papritur në përfaqësuesen e Polonisë së futbollit. Robert Lewandowski ka njoftuar zyrtarisht largimin e tij nga ekipi kombëtar, pasi trajneri Michal Probierz vendosi t’ia hiqte shiritin e kapitenit dhe t’ia jepte mesfushorit të Interit, Piotr Zielinski.
"Duke pasur parasysh rrethanat dhe humbjen e besimit tek trajneri i ekipit kombëtar polak, kam vendosur të ndaloj së luajturi për Poloninë për sa kohë që ai është trajner ", shkroi sulmuesi i Barcelonës në profilin e tij X.
"Shpresoj të jem në gjendje të luaj përsëri për tifozët më të mirë në botë."
Përçarja midis sulmuesit, i cili luajti më shumë se 150 ndeshje për Poloninë, duke shënuar mbi 80 gola, dhe trajnerit erdhi menjëherë pas njoftimit zyrtar të Federatës për zgjedhjen e kapitenit të ri.
"Me vendim të trajnerit Michal Probierz, Piotr Zieliński është bërë kapiteni i ri i ekipit kombëtar polak", njoftoi Federata Polake e Futbollit. "Trajneri e ka informuar personalisht Robert Lewandowskin, të gjithë ekipin dhe stafin stërvitor për vendimin e tij."
Menjëherë pas këtij njoftimi Lewa vendosi të reagonte me tërheqjen nga ekipi kombëtar polak vullnetarisht, pikërisht kur Polonia është e angazhuar me ndeshjet kualifikuese për Kupën e Botës 2026.
Mbetet për t’u parë nëse ky është një vendim i përkohshëm për shkak të zhgënjimit me zgjedhjen e trajnerit apo nëse përçarja mund të zgjidhet disi.
Biorąc pod uwagę okoliczności i utratę zaufania do selekcjonera Reprezentacji Polski postanowiłem do czasu kiedy jest trenerem zrezygnować z gry w Reprezentacji Polski. Mam nadzieję, że będzie dane mi jeszcze zagrać dla najlepszych kibiców na świecie. ????????
— Robert Lewandowski (@lewy_official) June 8, 2025

