Akuzat e PD se mungojnë 130 mijë fletë votimi të papërdorura, nis verifikimi për 233 kuti të tjera!
Pas akuzave të Partisë Demokratike se mungojnë 130 mijë fletë votimit të papërdorura, sot janë hapur për verifikim 233 kuti të tjera votimi. Procesi ka nisur që prej orës 09:00 të mëngjesit në Vaqarr, në një ambient ku KQZ ruan për dy muaj çdo material zgjedhor.
Nga pamjet dallohet qartë se në kutitë e posaçme janë të mbushura me fletët e votimit të papërdorura.
Procesi do të zhvillohet sipas rendit: Vlorë, Dibër, Gjirokastër, Korçë, Lezhë, Shkodër, Fier, Berat, Durrës, Tiranë dhe Elbasan. Të pranishëm për të ndjekur procesin mund të jenë edhe subjektet politike.
Por akuzat e PD se fletët u zhdukën dhe se sipas tyre procesi u manipulua përmes fenomenit të trenit bullgar, u rrëzuan vetëm një ditë më parë nga hapja e katër kutive për Qarkun e Vlorës, ku brenda kutive të posaçme u gjetën fletët e votimit të papërdorura.
Por PD, nuk u bind dhe kërkoi verifikimin e të gjitha kutive të votimit me fletë të papërdorura. PD përdori dy anëtarët e saj në KAS, Ledio Braho dhe Elvis Çefa për ta zgjeruar hetimin edhe në këto 233 qendra votimi.
Hapja e kutive për Vlorën konfirmoi edhe qëndrimin e KQZ se nuk kemi të bëjmë me zhdukje të fletëve të votimit të papërdorura, por me një gabim njerëzor, ku komisionerët në vend se të kishin shënuar në procesverbal sa fletë votimi nuk u përdorën më 11 maj, kanë shënuar zero.

