Gjyqi ndaj ish-kryebashkiakut! Paditësi para GJKKO-së: Bardh Spahia me metoda komuniste më shkarkoi padrejtësisht
Në Gjykatën e Posaçme është zhvilluar seanca ndaj ish-kryetarit të Bashkisë Shkodër, Bardh Spahia, ku SPAK i ka ngritur akuzën e “pengimit të ekzekutimit të vendimit të gjykatës”.
Mark Molla personi që ka paditur Bardh Spahinë është paraqitur në gjykatë në cilësinë e dëshmitarit të kërkuar nga Prokuroria.
Ai ka qenë më herët drejtor i Ujësjellësit Shkodër dhe me firmë të Spahise u largua nga puna.
Deklarata e Mark Mollës sot në seancën e GJKKO-së:
“Gjatë vitit 2022 kam qenë administrator tek Ujësjellësi. Kam bërë detyrën mirë. Ujësjellesi ka qenë ndër më të mira në Shqipëri. Ka pas 0 fonde. Kam bërë kallëzim penal se ish-kryetarja në detyrë më ka emëruar 3 vjet në detyrë.
I jam drejtuar Prokurorisë Shkodër, se jam njohur me shkresa zyrtare dhe jam njohur si njeri pa vlerë. Unë nuk jam lejuar të futem tek Ujësjellesi. Kryetari ka shpërdoruar detyrën.
Largimin nga puna të menjëhershëm pa asnjë qortim, as vërejtje dhe pa vendim Asambleje.
Fillimisht ka larguar anëtarët e stafit mbikëqyrës rreth muajit Qershor. Unë do kisha avokatin tim dhe të konsultohesha dhe mendoj se duhet të isha palë në proces.
Fillimisht jam njohur me një urdhër largimi që më ka ardhur me postë. Janë tre vendimmarrje nga ish-kryetari Bardh Spahia. Përveç meje dhe dy anëtarët e stafit të Ujësjellësit i janë drejtuar gjykatës.
Unë kam vazhduar një periudhë kohe, teksa një ditë ka ardhur në zyrë Ardi Çylybyli me disa njerëz të Bashkisë dhe më ka thënë të liroja zyrën.
Institucioni atë ditë u ruante nga Policia Bashkiake dhe Policia e Shtetit. Atë ditë jam ndjerë keq dhe jam shtruar në spital 3 ditë. Nga 320 punonjës ka nxjerrë një urdhër që do futen vetëm 62 persona.
Unë s’kam bërë asnjë dorëzim, zyra është thyer me shkresë. Për largimin nga puna jam njoftuar nga posta dhe ma ka sjellë sekretaria e asamblesë. Këto vendimmarrje nuk janë bërë të ditura punonjësve të Ujësjellësit.
Unë merakun tim e kam pas me shku Bardhi kryetar bashkie dhe filloi luftën jo me burrni, por vazhdoi me metodat e tij të ngjashme komuniste. Doja ta shikoja ballë për ballë.
Unë mendoj se asambleja ka pasur dijeni për largimin tim. Gjatë vitit 2022 nuk ka pasur asnjë ankesë nga qytetarët. Në lidhje me rrogat i ka marrë nga data 1 deri 5 çdo muaj.
Edhe në lidhje me klorin, asnjë problematikë. Në lidhje me proceset gjyqësore vijon vetëm dëmi ekonomik dhe nuk heq dorë. Edhe sot po shpif në media. Procese të tjera që lidhen me punën nuk kam hap akoma".


