Rumenige: Dëshiroja Bajernin në finalen e Ligës së Kampioneve në shtëpi, por dështuam

“Finale dahoam 2.0” (finalja e Ligës së Kampioneve në Mynih) mbeti një ëndërr për Bajernin e Mynihut.

Bavarezët që shpresonin të arrinin në finale në këtë sezon, për më shumë që ajo do të luhet sonte në Mynih, u eliminua nga Interi në çerekfinale.

Pas dështimit me Çelsin në finalen e disa viteve më parë në Mynih, për Bajernin erdhi një tjetër zhgënjim këtë vit. Karl-Hainc Rumenige foli hapur në lidhje me performancat e Bajernit në Ligën e Kampioneve.

Përfundimi i tij ishte i qartë: sezoni i bavarezëve në Champions la për të dëshiruar.

Të shkojmë me radhë. Gjërat nuk po shkonin mirë për Bajernin në sezonin 2024-25 në Ligën e Kampioneve.

Në fillim, ata pësuan humbje kundër Aston Vilës (0-1) dhe Barcelonës (1-4). Ekipi nga Mynihu zhgënjeu sërish me një humbje 0-3 në Roterdam kundër Fejnordit.

Kjo e detyroi Bajernin që të shkonte në fazën tjetër nëpërmjet “play off”-it, ku ata luftuan kundër Sëlltikut për të arritur në raundin e 1/16- tave.

Pas dy paraqitjeve të forta kundër Leverkusenit, pasoi eliminimi i hidhur në çerekfinale kundër Interit. Pra, çfarë nxjerr Bajerni nga kjo rrëmujë emocionesh në Champions League?

Karl-Hainc Rumenige duke folur për Agjencinë Gjermane të Lajmeve “dpa” tha se sa shumë i vinte keq që bavarezët nuk mundën të siguronin një vend në finalen e Mynihut.

Ish-drejtori ekzekutiv i kampionëve të Gjermanisë ishte i qartë në analizën e tij.

“Nuk po ankohem, por po jap mendimin tim. Kemi pasur një sezon të përzier në Ligën e Kampioneve, veçanërisht në fazën me grumbullim pikësh, ku nuk ishim shumë të suksesshëm”.

Rumenige vijoi: “Qëllimi ynë ishte të përfundonim midis tetë ekipeve të para, por me tre humbje, nuk e kemi arritur këtë.

Luajtëm shumë mirë kundër Leverkusenit dhe gjithashtu bëmë një performancë të mirë kundër Interit, duke marrë parasysh situatën tonë të dëmtimeve”.

Lidhur me mungesën në finale, 69-vjeçari shtoi: “Për të arritur në finale, gjithçka duhet të jetë në rregull – për fat të keq, këtë herë nuk ndodhi kështu”. Paris SGja dhe Interi do të përballen sonte në mbrëmje finalen e Ligës së Kampioneve.

Bajerni humbi ndeshjen e parë kundër italianëve 1-2 dhe nuk arriti të kualifikohej në gjysmëfinale pas një barazimi 2-2 në ndeshjen e kthimit.