Nga Rummenigge te Matthäus, 'dashuria' e ish-presidentit të Interit për gjermanët

Ernesto Pellegrini kishte një dobësi të veçantë për futbollistët gjermanë dhe kjo nuk ishte aspak rastësore.

Në ta ai shihte shumw cilësi: pragmatizëm, përkushtim, sakrificë dhe profesionalizëm. Ishin vlera që përkonin me botëkuptimin e tij si sipërmarrës dhe si president i Interit.

E admironte besueshmërinë e tyre dhe dinte se edhe kur nuk fitonin, futbollistët gjermanë jepnin gjithçka në fushë.

Rummenigge, ylli që nuk solli trofe, por la kujtime të paharrueshme

I pari në këtë seri të artë ishte Karl-Heinz Rummenigge, një nga sulmuesit më të frikshëm të kohës. Në vitin 1984, Pellegrini arriti ta merrte në Milano nga Bayerni për 8 miliardë lireta, një operacion që dukej i pamundur.

Megjithatë, edhe pse “Kalle” dhuroi gola spektakolarë, titujt munguan dhe karriera e tij tek Interi u pengua shpesh nga dëmtimet. Por, për tifozët që patën fatin ta shihnin në fushë, sprintet dhe fuqia e tij fizike janë ende një kujtim emocionues.

Matthäus dhe Brehme, ‘zemra’ gjermane e titullit të rekordeve

Në pranverën e vitit 1988, Interi u përforcua me dy emra të mëdhenj: Lothar Matthäus dhe Andreas Brehme, të dy të marrë nga Bayerni.

Matthäus u mor për 8 miliardë lireta pas një telefonate urgjente, ndërsa Brehme, që ishte në fund kontrate, erdhi për 2.7 miliardë.

Vendime të menjëhershme, tipike për Pellegrinin. Dhe ishin vendime të sakta: Matthäus u bë motori i ekipit, ndërsa Brehme u shqua si mbrojtës i gjithanshëm dhe ekspert i goditjeve standarde. Kjo dyshe ishte themeli i Interit kampion të vitit 1989, në një sezon historik me pikë rekorde.

Jo vetëm gjermanë, edhe Berti, Trapattoni e Sosa

Pellegrini nuk u fokusua vetëm te gjermanët. Në të njëjtin vit, ai i rrëmbeu Nicola Berti-n e Napolit, një lëvizje që rezultoi perfekte: Berti u bë një ikonë e Interit. Një tjetër goditje ishte marrja e Giovanni Trapattoni-t nga Juventusi, trajner që i dha Interit sukses në Itali dhe Europë, duke fituar Kupën UEFA në 1991.

Kur Pellegrini ndryshoi kurs… dhe nisi rënia

Në vitin 1993, ai e braktisi formulën gjermane dhe u drejtua nga holandezët, ndikuar edhe nga suksesi i Milanit të asaj kohe. Dennis Bergkamp u ble për 25 miliardë lireta, dhe Wim Jonk për 8 miliardë. Megjithëse Bergkamp shihej si një fitues i ardhshëm i Topit të Artë, Italia nuk ishte ambienti i tij.

Në të njëjtën kohë, një tjetër goditje “shtesë” rezultoi më e dashura për tifozët: Ruben Sosa, i ardhur nga Lazio, u bë shpejt idhulli i ‘San Siros’, duke dhuruar spektakël dhe gola magjikë.

Ernesto Pellegrini e ndërtoi Interin e tij me besim te karakteri dhe sakrifica, dhe askush nuk ia mishëronte më mirë këto vlera sesa gjermanët që zgjodhi me zemër.