15 vjet pa trofeun madhor me tri finale të humbura, Italia kërkon të thyejë mallkimin e Champions-it

Kanë kaluar plot 15 vite që nga ajo natë magjike në Madrid, kur më 22 maj 2010 Interi triumfoi ndaj Bayernit të Mynhut me rezultatin 2-0 dhe u ngjit për herë të tretë në majën e Europës.

Që nga ajo kohë, asnjë skuadër italiane nuk ka arritur ta fitojë më Ligën e Kampionëve, edhe pse tentativat nuk kanë munguar. Sot, në finalen e madhe në ‘Allianz Arena’ kundër PSG-së, i takon sërish Interit që të përfaqësojë shpresat e futbollit italian për të rikthyer trofeun më të madh në Itali pas një mungese të gjatë.

Tri finalet e humbura nga Juventusi dhe Interi

Që nga finalja e Madridit, dy klube italiane kanë arritur tri herë deri në finalen e Champions-it, por pa sukses. Juventusi humbi dy finale të dhimbshme kundër skuadrave spanjolle.

Në vitin 2015, u mposht 3-1 nga Barcelona e Luis Enriques, e udhëhequr nga ‘tredhëmbëshi’ magjik Messi–Suarez–Neymar.

Ndërsa në vitin 2017, pavarësisht një goli të jashtëzakonshëm të Mandzukic, u dorëzua 4-1 përballë Real Madridit të Cristiano Ronaldos.

Në vitin 2023 ishte radha e Interit, që zhvilloi një ndeshje të barabartë ndaj Manchester City-t, në Stamboll, por u mposht 1-0 nga një gol i Rodrit në minutën e 68-të.

Tani, zikaltrit kanë fituar sërish të drejtën për të luajtur në finalen e madhe pas një rruge të shkëlqyer që nisi nga vendi i katërt në “Ligën Fazë”, duke eliminuar Feyenoordin, Bayernin në çerekfinale dhe Barcelonën në gjysmëfinale.

Europa League dhe Conference League, buzëqeshje të pjesshme për Italinë

Megjithëse Champions-i ka mbetur një ëndërr e parealizuar për klubet italiane, ka pasur disa suksese në kompeticionet e tjera europiane.

Në sezonin e kaluar Atalanta fitoi në mënyrë mbresëlënëse Europa League duke mposhtur kampionët e Gjermanisë, Bayer Leverkusen, 3-0 në finalen e Dublinit.

Në vitin 2023 Roma mbërriti në finalen e Europa League pas një rruge të fortë ndaj Leverkusenit, por humbi me penallti kundër Sevilla-s në Budapest.

Po ashtu, Juventusi në të njëjtin sezon u eliminua në shtesë nga po kjo skuadër spanjolle në gjysmëfinale.

Edhe Interi arriti finalen e këtij kompeticioni në vitin 2020, por u mposht 3-2 nga Sevilla në një turne të zhvilluar në format të ndryshuar për shkak të pandemisë COVID.

Në Conference League, Italia ka qenë protagoniste. Roma fitoi edicionin e parë në vitin 2022 me një gol të Zaniolos në finalen e Tiranës, kundër Feyenoordit.

Trajneri José Mourinho u bë i pari që fiton të tria kupat europiane. Ndërkohë, Fiorentina provoi dy herë radhazi të fitonte këtë trofe, por u ndal në finale në 2023 nga West Hami (1-2) dhe në 2024 nga Olympiakosi, që shënoi në minutën e 116-të. Sivjet, “Viola” u eliminua në gjysmëfinale nga Betisi.

Superkupa Europiane mungon që nga viti 2007

Suksesi i fundit italian në Superkupën Europiane daton që nga viti 2007, kur Milani mposhti Sevilla-n. Që atëherë, Interi humbi në vitin 2010 ndaj Atletico Madridit, ndërsa Atalanta u dorëzua sezonin e kaluar përballë Real Madridit.

Në rast fitoreje ndaj PSG-së sonte, Interi jo vetëm që do të thyejë mallkimin e Champions-it për klubet italiane, por do të fitojë të drejtën për të luajtur Superkupën Europiane më 13 gusht, në Udine, kundër Tottenhamit, fitues i Europa League. Italia është gati të ëndërrojë sërish.