Tension në rritje para finales, Cantona provokon PSG-në me fanellën e Interit: Është Marseja, baby…
Në prag të finales së madhe të Champions League mes Interit dhe PSG-së, klima në Francë, sidomos në Marsejë, është ndezur jo vetëm nga pritshmëria për ndeshjen, por edhe nga një gjest i bujshëm simbolik: Eric Cantona, legjendë franceze dhe ish-lojtar i Marsejës, është shfaqur në Instagram me një fanellë të Interit, ku në vend të sponsorit shkruhet me të mëdha:
Ky veprim është parë si një provokim i drejtpërdrejtë ndaj PSG-së, klub që për dekada është parë si armiku më i madh i tifozëve marsejezë.
Fanella është kthyer në një simbol rezistence dhe krenarie për qytetin jugor francez dhe është bërë virale në rrjetet sociale.
Fanellat e Interit, të shitura në çdo cep të Marsejës
Në dyqanet sportive të qytetit, fanellat zikaltër të Interit janë zhdukur nga raftet.
Tifozët marsejezë kanë blerë gjithçka që përfaqëson kundërshtarin e PSG-së për finalen, duke e kthyer këtë në një formë proteste të heshtur ndaj dominimit dhe arrogancës së perceptuar të klubit parisien.
Autoritetet lokale kanë shprehur frikë për përplasje të mundshme me tifozët parizienë, në rast se PSG fiton dhe përpiqet të festojë në qytet.
Legjendat e ndara mes Marsejës dhe kombëtares
Ndërkohë, Basile Boli, heroi i finales së vitit 1993 ndaj Milanit, që i dha Marsejës të vetmin Champions në histori, është shfaqur publikisht në mbështetje të Interit. Pavarësisht kritikave nga figura të njohura të futbollit francez, Boli u shpreh më pas:
“Para së gjithash, jam francez”, duke kërkuar të qetësojë zërat që e akuzuan për mungesë patriotizmi.
Nga ana tjetër, dy ish-idhuj të Marsejës, Didier Deschamps (sot përzgjedhës i Francës) dhe Zinedine Zidane, kanë deklaruar mbështetje të plotë për PSG-në, pavarësisht lidhjeve të tyre me qytetin.
Finalja e Champions League pritet të jetë jo vetëm një përplasje sportive, por edhe një ndeshje e mbushur me ngarkesë emocionale e simbolike për një vend të ndarë mes jugut dhe veriut, mes Marsejës dhe Parisit, mes rebelëve dhe elitës.
