E ardhmja e Maignan te Milani duket e vulosur. Rinovimi i pezulluar, portieri hidhet në treg
Presioni i ushtruar nga drejtori sportiv Igli Tare ka sjellë një kthesë të rëndësishme në shtëpinë e Milanit gjatë orëve të fundit. Takimi i zhvilluar të martën ka afruar ndjeshëm Massimiliano Allegrin me stolin kuqezi, me kontratën e gatshme për t’u firmosur.
Flitet për kontratë 2-vjeçare, me opsion për vitin e tretë, me pagë prej 5 milionë eurosh në sezon. Allegri ka qenë gjithmonë zgjedhja e parë e administratorit të deleguar Giorgio Furlani dhe gëzon respekt të madh nga ana e Tares.
Hezitimet fillestare mbi emrin e tij duket se janë zhdukur, edhe për të shmangur një përfshirje të mundshme të Interit në garën për trajnerin nga Livorno.
Paralelisht me marrëveshjen për trajnerin, është diskutuar në mënyrë intensive edhe mbi transformimin e thellë të skuadrës.
Mesfushori Tijjani Reijnders duket se është në rrugën drejt Manchester City, pritet një ofertë jo më e vogël se 60 milionë euro për kartonin e tij. Edhe e ardhmja e Mike Maignan duket tashmë e paracaktuar, siç shkruan “La Repubblica”.
Rinovimi i portierit francez është bllokuar prej muajsh dhe, në momentin kur pritej nënshkrimi, klubi vendosi ta frenojë procesin.
Kjo situatë ka filluar të irritojë Maignan, deri në pikën sa po shqyrton seriozisht mundësinë të qëndrojë edhe një vit dhe më pas të largohet me parametër zero. Një skenar që Milani nuk mund ta lejojë, ndaj është marrë vendimi për ta nxjerrë në treg.
Sa i përket Theo Hernandez, i cili ndodhet në një situatë kontraktuale të ngjashme, gjithçka është ende e paqartë. Ndërkohë, Massimiliano Allegri është plotësisht i vetëdijshëm për gjithë këtë panoramë. Madje, këtë sezon nuk ka humbur asnjë ndeshje të Milanit, thuajse sikur po priste thirrjen zyrtare nga klubi kuqezi.

