Bruno Fernandes shumë pranë largimit nga Manchester United, ja klubi arab që i ka bërë ofertën prej...
Kapiteni i Manchester United, Bruno Fernandes, pritet të mbyllë përfundimisht kapitullin e tij në futbollin anglez për të nisur një aventurë të re në Lindjen e Mesme.
Sipas raportimeve nga Daily Mail, gjiganti saudit Al Hilal, është i gatshëm të investojë plot 300 milionë euro për të siguruar shërbimet e tij, një ndër transferimet më të mëdha në historinë e futbollit.
Nga kjo shumë kolosale, 100 milionë euro do të shkojnë për kartonin e lojtarit në drejtim të Manchester United, ndërsa 200 milionë euro të tjera do të jenë paga bruto për kontratën trevjeçare që Al Hilal ka ofruar për 30-vjeçarin portugez.
Fernandes ishte ndër të paktët që u dallua gjatë një sezoni të errët për ‘Djajtë e Kuq’.
Ai mbylli fushatën me 19 gola dhe 19 asiste në 56 ndeshje, duke konfirmuar statusin e tij si një nga më të mirët në Premier League, edhe në kushtet e krizës së thellë që përfshiu klubin.
Pavarësisht se trajneri Ruben Amorim kishte deklaruar më parë se lojtari nuk do të shitej, mungesa në Ligën e Kampionëve për herë të parë pas 11 vitesh, humbja në finalen e Europa League ndaj Tottenhamit (1-0) dhe bilancet financiare në rënie, duket se i detyruan drejtuesit të ndryshojnë kurs.
Fernandes vetë, pas humbjes në finalen e Europa League në Bilbao, kishte lënë të hapur çdo skenar:
“Të gjithë e dinë që unë dua të qëndroj dhe do të qëndroj deri në ditën kur menaxhmenti më thotë të largohem. Ndoshta pas mungesës sonë nga Champions, do të duan të balancojnë financat duke shitur lojtarë si unë.
Kështu është futbolli modern.” tha Fernandes.
